Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për modernizimin e sistemit shëndetësor dhe rritjen e efikasitetit në procesin e përshkrimit dhe shpërndarjes së barnave është miratuar receta e re mjekësore në formatin e ri unik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu zhvilloi sot një vizitë në dy farmaci në Tiranë nga ku deklaroi se nga data 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik, hyn në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Gjatë bashkëbisedimit me farmacistët, ministrja Koçiu prezantoi zyrtarisht përmbajtjen dhe lehtësirat e recetës së re duke theksuar se “nga data 1 gusht të gjithë profesionistët e shëndetësisë do të përdorin një model të unifikuar të recetës mjekësore”.

Ministrja Koçiu u ndal edhe tek lehtësirat që receta e re do të sjellë për farmacistët dhe pacientët.

Ky model i ri i recetës, lehtëson ndjeshëm punën e farmacistëve, ofron më shumë siguri për qytetarët dhe përmirëson ndjekjen e trajtimeve sipas rekomandimeve të mjekut.

“Receta e re mjekësore krahas atyre standardeve me informacionet bazë ka të domosdoshme vendosjen e diagnozës. Kjo ju lehtëson juve që të jeni më të qartë lidhur me ato barna të cilat do t’i jepni pacientit. Kjo është një garanci më shumë për të siguruar që pacienti po merr medikamentet e duhura nga profesionistët e duhur të shëndetësisë“, nënvizoi Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se me formatin e ri, mjekët do të kenë mundësinë të lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet kur pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë, si dhe me përmbajtjen dhe të dhënat e kërkuara për plotësim, rritet me tej siguria e pacientëve në marrjen e barnave.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishme si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.