Në të kaluarën edhe mashtruesit kanë qenë më seriozë dhe më gazmorë. Tash janë vetëm qesharakë. Mbi rastin e një dallaveraxhiu nga Elbasani, që mediat e trullosura dhe politikanët e marrë të Kosovës po e presin, përqafojnë dhe trajtojnë si klerik ortodoks. Qe, pra, ku arritëm: dikur nga Elbasani vinte dhe mirëpritej në Kosovë Mehmet Gjevori, sepse kishte mision t’ia mësonte shkronjat një populli analfabet. Sot vjen Nikolla Xhufka. Dhe mileti analfabet duartroket.

Nga Enver Robelli

Lufta në Kosovë kishte përfunduar, duhet të ketë qenë pranvera e vitit 2000, kur më telefonoi një koleg gjerman, për të cilin besoja se ishte gazetar serioz. Por edhe gazetarët seriozë mund të bien pre e naivitetit të tyre ndonjëherë. Sidoqoftë, kolegu gjerman tha se kishte një “scoop”, një lajm ekskluziv.

“A vjen, të lutem, të lutem, të lutem, a vjen me mua, se kam lënë takim me një person në një lokal në stacionin e trenit në Zürich, i cili thotë se këto ditë do të ndezë luftën në Maqedoni?”, më pyeti kolegu gjerman. Shkova në takim i shtyrë nga kureshtja, jo i bindur se bëhej fjalë për ndonjë gjë serioze. Personi që takuam ishte një sharlatan. Fliste me vetëbesim sharlatani. Vazhdonte me pallavra. Pastaj me dokrra. Dhe e përfundonte fjalinë me gjepura.

Unë nuk shkrova asnjë shkronjë për atë takim. Kolegu gjerman shkroi. Paralajmëroi, pak a shumë, se personi që takuam në stacionin e trenit në Zürich së shpejti do të shfaqej në CNN, me kallashnikov dhe uniformë të një ushtrie çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë dhe do ta trondiste Ballkanin dhe gjithë¨ botën (perëndimore).

Ndërsa fliste për planet e tij, sharlatani lëvizte kokën në mënyrë teatrale andej-këndej, duke na bërë me dije se aty afër mund të jenë agjentët e ndonjë shteti armiqësor ballkanik, të cilët përcjellin çdo lëvizje të tij.

Pas disa muajsh, në vitin 2001, u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Atëbotë Tirana ishte një qytet i mjerë dhe i pistë, me plot ndërtime ilegale pranë Lanës, lumë i thënçin. Në grumbullin e gazetarëve më ra në sy sharlatani i stacionit të trenit të Zürichut. Nuk e kishte ndezur luftën në Maqedoni. Kishte punë më patriotike. Përpiqej të belbëzonte për politikën, sillej si konspirator dhe tentonte t’u bënte përshtypje gazetarëve të ardhur nga Kosova në Tiranë për të raportuar mbi zgjedhjet në Shqipëri. Në bursën politike qarkullonin emra si Fatos Nano, Ilir Meta, Sali Berisha. (Prej kësaj tresheje vetëm i pari është larguar nga politika.)

Nuk e di çfarë ka ndodhur me sharlatanin, i cili në stacionin e trenit në Zürich na siguroi (mund të thuhet: na kërcënoi) se do të ndezë një luftë në Maqedoni. Mund të jetë kthyer në Zvicër, të ketë gënjyer autoritetet se është i përndjekur dhe të jetojë, sot e asaj dite, nga ndihmat sociale të shtetit zviceran. Mund të jetë kthyer në Kosovë dhe të jetojë në ndonjë fshat, ku merr pension si veteran i luftës për shkak të meritave të tij të mëdha: për shembull, për meritën e rrëfimit të një vargu me gënjeshtra në stacionin e trenit në Zürich.

Bota është plot e përplot me sharlatanë. Victor Lustig, një mashtrues austro-hungarez, më 1925 e shiti Kullën e Ajfelit. Hohshtapleri (nga gjermanishtja: Hochstapler, një njeri që prezantohet rrejshëm) Gregor MacGregor e shpiku në shekullin e 19-të një eldorado në ishujt e Karaibeve në Amerikën Latine, e quajti Poyais dhe u bëri thirrje britanikëve të emigrojnë atje. Rreth 250 i besuan kësaj përralle dhe u nisën me anije drejt cakut që nuk ekzistonte. Prej tyre vetëm 60 mbijetuan. Gregor MacGregor u bë i pasur: arriti t’u shesë britanikëve parcela në parajsën Poyais. Kur pas pavarësisë së Shqipërisë fuqitë perëndimore po kërkonin një princ të huaj për të sunduar shtetin e ri, interesim shfaqën edhe njerëz që pretendonin se ishin pasardhës të familjes së Skënderbeut. Ishin po aq pasardhës të heroit sa ishte Skënderbeu japonez.

Kohëve të fundit nëpër Kosovë po shtegton një fantazmë e veshur me një pelerinë të zezë. Mediat e etura për klikime na njoftojnë se ai quhet Nikolla Xhufka dhe e prezantojnë para opinionit si klerik ortodoks të “Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës”. Madje i drejtohen edhe si kryepeshkop. Në thellësitë e internetit Xhufka na shfaqet si patriot i madh, i cili, sipas një televizioni kosovar, “godet Serbinë”. Në një televizion të Shqipërisë, Xhufka shpjegoi: “Nuk jam homoseksual.” E sigurt është, sipas Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, se Xhufka nuk ka asnjë lidhje me punë fetare e hyjnore.

Në të kaluarën edhe mashtruesit kanë qenë më seriozë dhe më gazmorë. Tash janë vetëm qesharakë. Ashiqare një dallaveraxhi nga Elbasani pritet, përqafohet dhe trajtohet si klerik nga mediat e trullosura dhe politikanët e marrë të Kosovës. Qe, pra, ku arritëm: dikur – më 1941 – nga Elbasani vinte dhe mirëpritej në Kosovë Mehmet Gjevori, sepse kishte mision t’ia mësonte shkronjat një populli analfabet. Sot nga Elbasani vjen Nikolla Xhufka. Dhe mileti analfabet duartroket.

E thërrasin në programe mëngjesi, në emisione të pasditës, në debate të mbrëmjes. Dalin në fotografi me të patriotë të vetëshpallur kosovarë, të cilët kanë dije për konfesionin ortodoks po aq sa mund të ketë dije teologjike një opingë me xhufka. Kurrë nuk ka qenë më lehtë për mashtrues të pushtojnë hapësira mediale dhe publike se sot. Budallallëku ka shkuar larg: ka edhe politikanë kosovarë, mes tyre edhe kryetarë komunash, që e presin këtë “kryepeshkop” në zyrat e tyre.

Nuk do të befasohesha nëse së shpejti në Kosovë shfaqet edhe Maksude Kademi, e njohur si Sudja, për t’i dhënë këshilla kosovarëve trudalë mbi mrekullitë e kapitalizmit dhe sidomos kamatës, bazuar në përvojën e saj si themeluese e firmës piramidale Sudja në Shqipëri në fillim të viteve ’90. Asaj dhe firmave të tjera piramidale shqiptarët i besuan rreth 1 miliard dollarë. Në një ditë vjeshte të vitit 1996, Sudja nxori kokën në dritaren e një pallati dhe i tha popullit: “Nuk kam më para.”

PS. Krejt kjo histori me “kryepeshkopin” nga Elbasani do të ishte po aq dëfryese sa një anekdotë nga jeta e Nasradin Hoxhës, sikur të mos i shërbente shtetit serb për t’u ankuar – jo pa të drejtë – se një mashtrues po ndërton një kishë të rrejshme në Kosovë për të gjetur xhemat naiv.