Tajlanda dhe Kamboxhia janë përfshirë në një përshkallëzim të dhunshëm në kufirin e tyre të diskutueshëm, ku përleshjet mes forcave ushtarake kanë shkaktuar të paktën 12 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Konflikti, që rrjedh nga një mosmarrëveshje historike më shumë se një shekull, ka sjellë mbylljen e kufirit dhe evakuimin masiv të civilëve nga zonat përreth, duke rritur tensionet ndërmjet dy fqinjëve të Azisë Juglindore.
Autoritetet tajlandeze raportojnë se 11 civilë, mes tyre edhe fëmijë, dhe një ushtarak janë vrarë në provincat kufitare Surin, Ubon Ratchathani dhe Srisaket. Ndërkohë, Kamboxhia ende nuk ka dhënë shifra për viktimat e saj.
Incidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku të dyja palët kanë shkëmbyer zjarr, secila duke akuzuar tjetrën për nisjen e sulmeve. Tajlanda ka kryer sulme ajrore ndaj bazave ushtarake kamboxhiane, ndërsa Kamboxhia ka denoncuar përdorimin e “forcës së tepërt” dhe ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Bangkokun.
Si pasojë e përshkallëzimit të situatës, Tajlanda ka mbyllur kufirin dhe ka nisur evakuimin e 40,000 civilëve nga zonat e rrezikuara. Ndërkaq, të dy vendet po bëjnë thirrje për largimin e banorëve nga kufiri.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Tajlandës pretendon se ushtria kamboxhiane nisi veprimet agresive, duke vendosur dronë dhe hapur zjarr ndaj trupave tajlandeze. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias thotë se ishin ushtarët tajlandezë që shkelën marrëveshjen paraprake duke avancuar në zonën kufitare dhe duke provokuar konfliktin.
Mosmarrëveshjet territoriale mes dy vendeve janë të lashta dhe përfshijnë çështje historike që lidhen me kufijtë e vendosur gjatë periudhës koloniale franceze. Në vitin 2008, tensionet u rritën pas një përpjekjeje të Kamboxhias për të regjistruar një tempull të shekullit të 11-të si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, gjë që u kundërshtua fort nga Tajlanda.
Tensionet e fundit u përkeqësuan pas vrasjes së një ushtari kamboxhian në maj, duke sjellë masa të reja kufitare dhe ndalimin e tregtisë mes dy vendeve.
Kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, kërkoi trajtim të kujdesshëm të situatës sipas së drejtës ndërkombëtare, ndërsa kryeministri kamboxhian Hun Manet shprehu gatishmërinë për zgjidhje paqësore, por paralajmëroi se nuk do të hezitojë të përgjigjet me forcë ndaj çdo agresioni.
Ndërsa shkëmbimet e zjarrit janë ulur përkohësisht, situata mbetet e ndjeshme dhe pa shenja të qarta për një zgjidhje afatshkurtër.