Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për kartën bankare të Ardian Shatkut, për të cilën SPAK thotë se Monika Kryemadhi shpenzoi 244 mijë dollarë për veshje, bileta avioni e hotele në në Beverly Hills dhe Las Vegas. Në një postim të radhës në Facebook, Meta ia lë sërish përgjegjësinë, ish-bashkëshortes së tij, duke thënë se atij nuk i është zbuluar asnjë kartë. Meta thotë se nuk ka qenë dhe as nuk ka dëshiruar asnjëherë që të shkojë në Beverly Hills dhe Las Vegas, pasi ka zgjedhur gjithmonë të vizitojë mrekullitë natyrore të Shqipërisë, si majën e Korabit dhe të Jezercës.
“Kartat bankare për të cilat flet dhe mashtron hapur SPAK-u nuk kanë as edhe lidhjen më të vogël me Ilir Metën. Nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston asnjë kartë bankare e ish-çiftit Meta-Kryemadhi. SPAK-u me regji ngatërron ëndrrat me faktet dhe realitetin asgjësues, pasi as nuk ka ekzistuar dhe as ka për t’u zbuluar kurrë ndonjë kartë e Ilir Metës.
SPAK-u tashmë i zhveshur përpara opinionit publik nga mungesa totale e fakteve dhe provave është zhytur në mashtrime, fantazira dhe manipulime mediatike, që në fakt vetëm sa po e diskreditojnë për turp dhe po e provojnë botërisht se i gjithë procesi ndaj Ilir Metës është vetëm një aferë mafioze e pastër dhe e telekomanduar nga Narkoqeveria.
Unë as nuk kam qenë dhe as nuk kam dëshiruar të shkoj në Beverly Hills dhe Las Vegas, sepse e kam bërë njëherë e përgjithmonë zgjedhjen time që të shkoj me kënaqësi pafund në Prevallë, Çerem e Dobërdol, në majën e Korabit dhe të Jezercës e kudo në mrekullitë natyrore të Shqipërisë tonë kaq të bukur e mahnitëse”, shkruan Meta.