KRYENGRITJA E FIERIT NË OPTIKËN E DR. JAKOV MILAJT

Studiuesi i nderuar Aristotel Mici është një kontributor i madh dhe shumë i respektueshëm i temave të ndryshme kulturore, eseistike dhe kulturologjike të natyrave të ndryshme qysh në mesin e shekullit të shkuar. Sot në moshë të thyer, pedagogu dhe intelektuali i njohur jeton në SHBA dhe vazhdon të jetë i angazhuar me botën shqiptare në forma të ndryshme. Në këtë dossier kemi një kujtim të rrallë të tij, kujtimet e Jakov Miles për Kryengritjen e Fierit dhe mënyrën sesi i kanë rënë në dorë materialet. Në numrat e ardhshëm ato do të botohen të plota.

Kryengritja e Fierit më 14 gusht 1935 ishte një shpërthim i urrejtjes dhe zemërimit popullor i mbledhur për gjatë viteve kundër regjimit të Amet Zogut dhe njerëzve të tij më të afërt. Sado e vogël në dukje, ajo kryengritje qe një revolucion në miniature, që tronditi shtetin dhe pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Revolta e saj prirej nga ide të njerëzve përparimtarë, që nuk e pranonin formën orientale të qeverisjes me nëpunës turkoshak të mykur, alla bejlurçin, siç i quante Fan Noli .

Për këtë rast, është për t’u kujtuar se dy shekuj e ca vjet më parë, më 1804, ish-Presidenti Thomas Jefferson, si ideator i republikanizmit amerikan, thoshte se në Europë, sundojnë princërit dhe mbretërit, si një vazhdim i Mesjetës, kur nuk bëheshin zgjedhje demokratike.

Duke ngritur lart idenë e Republikës, ky President bënte vërejtje për qeverisjet e atëhershme europiane dhe deklaronte: “Qeveritë europiane janë monarkiste. Ato janë mbështetur në parimin që një pakicë njerëzish kanë dhuntinë e shenjtë të shtypin shumicën. Kurse sistemi republikan amerikan nënkupton prishjen përfundimtare të kodeve feudale e të autoritarizmit mbretëror”1

Për ironi të fatit historik në Shqipëri, në kundërshtim me idenë e republikanizmit demokratik të Thomas Jeffersonit, jo më 1804, po më 1924 rrëzohet qeveria demokratike e Fan Nolit, për t’u zëvendësuar me monarkinë gjysmë-orientale, për monarkun e së cilës vetë përkrahësi i saj, Eqrem Bej Vlora, shkruan në kujtimet e tij se mbreti në atë shkollë turke të Stambollit, të kohës së Sulltan Abdyl Hamitit, kishte mësuar sjellje dhe mënyra të foluri, të cilat i kishin dhënë oborrit të Zogut vulën e një Sulltani dalë mode, referohet në “Kujtimet” e Eqerem bej Vlorës.

Pikërisht, për të krijuar një qeverisje demokratike, disa intelektualë dhe persona me prirje europiane, krijuan më 1934 një shoqëri politike, që e emëruan “Organizata e fshehtë”, e cila arriti të krijonte dhe disa degë në krahina dhe qytete të ndryshme. Kjo organizatë e kryesuar nga Ali Shefqet Shkupi, u përpoq të bënte atë lëvizje, e cila kulmoi me Kryengritjen e Fierit, dhe që shpërtheu më 14 gusht 1935. Lidhur me këtë ngjarje, në vite në vazhdim do të dilnin studiues të profileve të ndryshme, historianë, gazetarë dhe shkrimtarë, që do të komentonin dhe do të hidhnin dritë rreth qëllimeve dhe synimeve, që kishte pasur kjo kryengritje. Nga autorët shqiptarë, që kanë trajtuar këtë ngjarje në dekada të ndryshme po përmendim firma si T.Zavalani, M.Belegu, H.Emiri, I.Gjika, N.Paku, Y.Polovina. Si autorë të huaj janë shquar N. Smirnova dhe Brend Fisher. Po burimet më të besueshme duhen kërkuar tek të dhënat, që vijnë prej personave, qe qenë aktivistë direkt, duke i vuajtur e përjetuar momentet dramatike të atyre ditëve siç janë Dr. Jakov Milaj, Ramiz Omari, Xhevahir Spathari, Xhelal Staravecka.

Midis studimeve për Kryengritjen e Fieri, një vend të veçantë zë monografia e Prof. Mentar Belegut. Pavarësisht nga prirja partiake e kohës, kjo monografi na njeh me gjendjen kur plasi kryengritja, me individët dhe grupet socialpolitike, që morën pjesë në atë kryengritje. Sipas këtij studimi kuptojmë se Kryengritja e Fierit ishte antizogiste, se ajo qe organizuar për përmbysjen e regjimit monarkik; të shmangte ndërhyrjen e imperializmit italian në Shqipëri, dhe të vendoste një regjimi republikan. Shkaku i kryengritjes qe keqësimi i gjendjes ekonomike dhe politike të vendit. Kryengritja u përgatit nga “Organizata e fshehtë” antiqeveritare me qendër në Tiranë.

Në të merrnin pjesë ushtarakë si Ali Shevqet Shkupi, Riza Dibra, Ali Fehmi Kosturi; po kishte komunistë si Hasan Reçi, Asim Vokshi, Mustafa Kaçaçi, Riza Cerova. Po në organizatë morën pjesë, gjithashtu, çifligarë të mëdhenj, edhe persona që kishin si qëllim të merrnin drejtimin e lëvizjes për interesat e tyre ekonomike dhe politike. Anëtarët e organizatës së fshehtë synonin ta përmbysnin monarkinë me anë të ndonjë puçi ushtarak. Për mungesë të organizimit dhe të përgatitjes ajo shpërtheu para kohe dhe u lokalizua vetëm në Fier, Mallakastër dhe në Skrapar.

Forcat kryengritëse të Fierit dhe Mallakastrës më 14 gusht 1935 shpallën republikën në Fier dhe sulmuan garnizonin e xhandarmërisë në Lushnjë. Aty ndeshen në qëndresën e trupave qeveritare dhe u shpërndanë. Degët e tjera të lëvizjes, që kishin premtuar se do të merrnin pjesë në kryengritje nuk patën as kohë as mundësi t’i vinin në ndihmë kryengritësve. Kryengritja e Fierit u shtyp me egërsi nga forcat qeveritare. Disa prej drejtuesve të saj u dënuan me vdekje. Gjithsesi ajo ngjarje pati jehonë në opinionin publik përparimtar brenda dhe jashtë vendit. Një gjykim i drejtë i autorit në këtë studim është ideja se pushkatimet dhe dënimet e ashpra, të gjyqit politik të Fierit prishën imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Po për ta përshkruar sa më bindshëm atmosferën e kohës për Kryengritjen e Fierit, do të ishte mirë të mbështeteshim edhe në materialin dorëshkrim të Dr. Jakov Milajt, ish- pjesëmarrës aktiv i asaj ngjarjeje, i arrestuar dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, i falur pastaj nga Mbreti, prej presionit ndërkombëtar, që ushtruan indirekt fuqitë e mëdha. Ajo që unë po e quaj “dorë-shkrim”, në fakt është një fletore me 77 faqe, e shkruar me dorë, të cilën e kam ruajtur në rrethana të veçanta, nga një vend e nga një shtëpi në tjetrën, për disa dekada.

Për të sqaruar se si më ka rënë në dorë ky material dokumentar, po shënoj për lexuesin se nga viti 1956 qeshë transferuar në Fermën “Çlirimi”, ku tok me të ndjerin Kristaq Shtëmbari, themeluam shkollën unike, si quhej atëherë shkolla shtatëvjeçare, në atë qendër të madhe bujqësore. Atje më dhanë një apartament të vogël për strehim. Pikërisht në të njëjtën godinë do të strehohej familjarisht edhe doktor Jakov Milaj, që vinte me detyrën e kryeveterinerit. Emrin e tij e kisha dëgjuar në mjedise qytetare fierake, veç nuk e kisha parë si person. Po gjatë leximit të gazetave dhe revistave për kohën e viteve’30 të shekullit të kaluar, sidomos te “Përpjekja shqiptare”, “Arbëria”, “Bashkimi i Kombit” dhe “Bota e re”, organe shtypi këto, ku e kisha gjetur atëherë si emër Jakov Milajn. Emri i tij dukej edhe krahas Branko Merxhanit, të cilin ai e vlerësonte si korife të publikes shqiptare; po e kisha parë atë edhe tok me firma të tjera me ide progresive, siç ishin personalitete me emër në publicistikën e kohës si Vangjel Koça, Vedat Kokona, Nonda Bulka, Petro Marko, Misto Treska dhe Migjeni; poezitë e këtij të fundit ai i adhuronte. Për më tepër, miqësia e tij me Migjenin do të vazhdonte edhe në Torino të Italisë, ku do të ishin pranë njeri-tjetrit, Jakovi si student, kurse Migjeni për t’u kuruar në sanatoriumin e Torre-Peliçes. Në këtë qendër kurimi Jakov Milaj do t’i gjendej Migjenit dhe më tepër, sidomos në mbarim të jetës, kur poeti do t’i jepte atij amanetin e fundit si edhe dorëshkrime për veprën e vetë “Vargjet e Lira”, me porosinë që t’ia dorëzonte të motrës Ollga Nikolla ( Luarasi), që ajo ta botonte.

Kështu, pra, Dr. Jakov Milaj vinte në Fermën “Çlirimi” me detyrën e kryeveterinerit, dhe që për koincidencë do të ishim fqinj .Ai emërohej në atë funksion, pasi kishte vuajtur burgun e regjimit zogist po edhe burgun e sistemit komunist. Po pavarësisht nga vitet e mundimeve në dy burgje, ai profesionalisht dhe moralisht qëndronte krenar dhe me dinjitet.

Për mua ishte një rastësi e bukur ta kisha fqinj atë intelektual, se më jepej mundësia të takohesha me një personalitet erudit si Dr. Jakov Milaj. Herë pas here shkonim në familje si fqinj të pritur nga gruaja e tij, një zonjë shumë fisnike, që me respekt, natyrshëm e thërrisja, Zonja Vasho, tek e cila nëna ime ndjehej gjithnjë e nderuar nga ajo, po edhe nga tre fëmijët aq të edukuar . Duke e ditur se ai kish qenë pjesëmarrës në Kryengritje e Fierit, herë pas here, gjeja mënyrën dhe e pyesja për kuriozitete rreth asaj ngjarje. Po një mbrëmje, pas disa kohë fqinjësie, duke pirë kafe, Dr. Jakovi me shumë mirësi dhe etikë qytetare, vuri mbi tavolinë, si surprizë, një fletore mesatarisht të madhe, ku shkruheshin fjalët:

Kujtoj se ma dha fletoren e shkruar me një kaligrafi të qartë, (po në disa faqe të korrigjuar nga ai vetë). Me sa kuptova ma dha për ta parë, dhe të shuaja disa kuriozitete. E falënderova për këtë dhe kur u ndamë, e mora atë fletoren me vete. Nisa ta lexoja qysh atë natë, duke e nënvizuar. Në ndonjë paragraf leximi vështirësohej, se kishte korrigjime, ku duhej të dalloheshin mirë rregullime frazash, ose plotësime fjalish. Kuptohej se fletorja ishte shkruar si kujtime për vetë autorin dhe jo me qëllim që ta merrte dikush tjetër, dhe aq më pak, që ta përhapte, a po ta komentonte. Si të thuash, ma kish dhënë si për të plotësuar disa nga kuriozitetet sipas pyetjeve që kisha bërë tek pinim kafe, ose çaj ndonjë mbrëmje më parë . Mbas një kohe, kur u takuam, desha t’ia ktheja fletoren. Po i ndjeri Jakov, i sjellur si gjithnjë, me modesti, më tha: “Po unë nuk ta dhashë që të ma ktheje, po ta mbaje si kujtim për Kryengritjen e Fierit.”

Atëherë e falënderova përsëri, duke i thënë se po e merrja atë fletore me shënime jo vetëm si kujtim, po edhe si një dhuratë me vlerë dokumentare për atë ngjarje historike të Fierit. Ashtu më lindi ideja se në të ardhshmen mund ta kisha atë si bazë fillestare për ndonjë shkrim rreth asaj revolte popullore, që qe frymëzuar nga dëshira për demokraci dhe ide antizogiste .

Me modesti, dua ta them se e ndjeva veten të vlerësuar, kur një autor i shquar i publicistikës i viteve’30, të shekullit të kaluar, koleg me Branko Merxhanin, e Vangjel Koçën, mik i ngushtë i Migjenit, të më besonte mua, atëherë ende djalosh, dhe të më jepte, atë fletore, ku ishin fokusuar shumë kujtime, fakte, episode, opinione dhe analiza karakteresh për atë ngjarje, që tronditi themelet e mbretërisë Zogiste siç qe Kryengritja e Fierit e 14 gushtit 1935 .

Është me vend të them se ne përshtypjet e mia Jakov Milaj ishte intelektual i ngritur, që dinte të fliste me takt me gjithë njerëzit, jo vetëm me punonjësit e fushës së tij, qofshin ata kuadro a po teknikë të zooveterinarisë, po edhe me studentë, që vinin nga Instituti i Lartë Bujqësor për praktikë. Ballkoni i vogël përdhese i apartamentit të shtëpisë së tij, shpesh kthehej në një qendër konsultimi me studentët.

Sa mirë e gjen kohën, doktor, – i thashë një herë, kur e pashë të lodhur pas orarit zyrtar tek vazhdonte të merrej dhe me punë didaktike dhe komente profesionale me studentët e veterinarisë.

-E kam kënaqësi,- më tha t’ju shpjegoj studentëve të institutit, aq sa di dhe sa mundem . E ndjej edhe detyrim moral, se kështu shtojmë kuadrot e larta të veterinarisë dhe të zooteknisë, se pa këta specialistë nuk zhvillohet blegtoria, nuk rritet mirëqenia. Jo më kot Naim Frashëri e ka titulluar poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësia”,…. pra fjala e parë e titullit të poemës është “Bagëtia”, gjë që tregon se përveç anës poetike, ka edhe atë të vlerës ekonomike. Po ndërkaq dua të shtoj se duke u dhënë ndihmën time këtyre studentëve të pasionuar, më kujtohet edhe djali im, Agroni, që sapo ka filluar teknikumin e veterinarisë në Shkodër. Atë çast e pyeta se a e pëlqente djali atë shkollë?

– Ai e ka me shumë dëshirë, më tha, dhe unë jam shumë i kënaqur që ai do të marrë profesionin tim.