Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se ndaj institucionit që drejton nuk ka presione politike.

Në një intervistë televizive, Sadushi theksoi se “presioni politik shmanget nga gjyqtari ose duhet të shmanget nga vetë gjyqtari dhe mundësia për t’iu shmangur ekziston. Sot ne kemi një sistem emërimi, promovimi dhe procedimi disiplinor që është i shkëputur nga politika dhe mjafton të evidentosh këtë dhe nuk ka arsye që gjyqtari të jetë nën presion”.

“Në aspektin ligjor dhe kushtetues, kjo çështje është e zgjidhur. Në aspektin personal pastaj varet nga gjithsecili”, u shpreh Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në dukje se “kategoria e magjistratëve kanë plotësisht të drejtë ose kanë detyrimin për të qenë sa më larg presionit dhe duhet të ndihen sa më larg presionit, sepse puna që ata bëjnë është e tillë që duhet të jenë larg presionit. Presioni do të jetë i vazhdueshëm, puna është si do ta përballosh ti këtë presion dhe mundësitë janë që çdokush mund ta përballojë këtë presion”.

“Presioni tek unë apo te kolegët e mi nuk është një presion që ndikon në vendimmarrje. Mjafton të shikoni dhe lexoni të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë për të kuptuar nëse ka presion apo nuk ka presion politik”, tha Sadushi.

Sadushi tha se “Reforma në Drejtësi ka sjellë një risi të atillë duke bërë që magjistratët t’i shmangen ndikimit politik”.

“Nëse do të fokusoheni në fusha të caktuara megjithëse mund të krijoni bindjen se ky presion mund të ekzistojë në performancë në vendimmarrje nuk evidentohet. Është vetë vendimi që tregon nëse kjo gjykatë ka qenë në presion apo jo. Personalisht mund të them se Reforma në Drejtësi ka sjellë një risi në drejtim të shmangies së ndikimit politik mbi gjyqësorin për të gjitha ato që unë thashë”, tha Sadushi.