Kryetarja e Gjykatës kushtetuese Holta Zaçe vlerësoi vendimmarrjet e deritanishme të kësaj gjykatë në përputhje me ‘standardin e dinjitetit njerëzor’.

Në fjalën e mbajtur në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për prezantimin e draftit të kodit të ri penal, Zaçe theksoi se me e rëndësishme se sa si shkruhen, ka rëndësi se si zbatohen ligjet në mënyrë që qytetarët të ndihen të barabartë para tij.

“Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dënimet që nuk përmbushin standardin e dinjitetit njerëzor. Të mos harrojmë që në vitin ’99 kjo gjykatë shfuqizoi dënimin me vdekje, një vendim historik. Në çështje që lidhen me masat parandaluese të deputetëve dhe qytetarëve gjykata ka mbrojtur lirinë personale nga kufizime të pajustifikuara. Gjykata ka vënë në dukje se ligji penal duhet të jetë i menduar, i studiuar dhe i debatuar. Ligjet shpesh gjykohen nga qëllimet, megjithatë drejtësia e vërtetë shihet në mënyrën se si zbatohen ato, në asksesin efektiv të qytetarëve në trajtimin e barabartë të tyre”, tha Zaçe.