Ku po shkon Policia e Shtetit me Ilir Prodën në drejtim?

Pse Ilir Proda ka shpallur prioritare qytetarët, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar?

Sa herë që ndërrohen Drejtorët e Përgjithshëm, përpiqen të fitojnë pikë në sytë e opinionit, duke takuar homologë me peshë specifike dhe duke theksuar se gëzojnë mbështetjen e tyre.

Por çfarë ka ndodhur realisht? Shumë paraardhës të Prodës, duke rendur pas këtij modeli, harruan elementin bazë të besimit dhe vlerësimit, që janë qytetarët. Askush prej tyre nuk e shpalli sigurinë si të panegociueshme; mjaftoheshin me operacione sporadike dhe fjalime me letër e të lexuara keq në takime me efektivë apo forume mediatike.

Ndryshe po ndodh sot. Një Polici që përpiqet të fokusohet te tre shtylla reale: besimi, imazhi dhe impakti i sigurisë, sidomos për miliona turistë e vizitorë nga e gjithë bota.

Takimi në Athinë me Drejtorin e INTERPOL-it solli dhe pritet të sjellë në pranga shumë figura të rrezikshme të krimit, që deri dje fshiheshin në vende ku as nuk mendohej të prekej kush. Kur partnerët e huaj vërtet besojnë dhe e përkthejnë këtë besim në veprime konkrete, atëherë vijnë e ulen në zemër të Policisë sonë, siç ndodhi kur drejtuesit e policive të Europës Juglindore u mblodhën në Berat, këtë qershor.

Bashkëpunimi i hapur, pa hile e pa burokraci, ftesat e përditshme të Prodës për partnerët, pa protokolle e hipokrizi, janë veprime të një lideri me mendësi të re.

Lufta mediatike e grupeve me interesa nuk do ta ndalë dot vendosmërinë e tij për të transformuar vërtet Policinë. Ai nuk u kundërpërgjigj me deklarata, por me punë dhe rezultate në favor të ligjit dhe qytetarëve.

Reformimi në strukturë me ardhjen e tij në krye, sidomos heqja nga drejtimi e disa “drejtorëve të përjetshëm”, solli impakt, pasi këta drejtues të lidhur me politikanë, media apo krim, për disa dekada ju sulën Prodës për ta goditur. Por harruan një gjë: e drejta zhytet, po nuk mbytet.

Të drejtosh strukturën më të madhe në vend, nën presion dhe me mungesë burimesh njerëzore, do të thotë se mund të bësh edhe gabime. Por koha i nxjerr vetë jashtë loje ata që nuk ecin me ligjin.

Emërimi i grave në role drejtuese, vlerësimi i dëshmorëve, përfshirja e brezit të ri, janë vlera të shtuara për një organizatë që është e jona: edhe kur është në lartësinë e duhur, edhe kur ka nevojë për përmirësim. Ata djem dhe vajza, burra dhe gra që sakrifikojnë çdo ditë për sigurinë, meritojnë mbështetje.

Drejtori i ri, i ri në moshë por me përvojë në përballjen me padrejtësi po përpiqet të drejtojë Policinë drejt qytetarit, ligjit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Mos harrojmë: milionat e turistëve janë edhe rezultat i pasaportës së sigurisë që ofron Policia e Shtetit, siç e thotë me të drejtë Proda “Siguria nuk negociohet”, jo vetëm slogan, por realitet, qindra armë zjarri të sekuestruar në pak muaj, kjo falë e bashkëpunimit me qytetarët e partnerët.

Vera do kalojë, por një tjetër valë e nxehtë vjen në shtator. Urojmë që ajo të “djegë” mendjet e nxehta të intrigës dhe të forcojë mendjet e ftohta që mbajnë vizionin e rrugës së re që kjo Polici ka nisur.