Sulmuesi i Kombëtares U-21, Kevin Zefi ka rrëfyer për “Irish Independent” kalvarin e vuajtjeve në Itali si edhe racizmin nga shokët e skuadrës te Interi apo Roma. Zefi ishte vetëm 16 vjeç kur verën e 2021 u largua nga Shamrock Rovers dhe zgjodhi të vijonte të mësonte për futbollin te Interi U-17.
Tre vitet e kaluara te zikaltërit nuk kanë qenë të lehta për të, teksa ai rrëfen në vetë të parë racizmin dhe dëshirën për t’u larguar nga Italia që pas katër muajve të parë.
“Mbërrita si një djalosh irlandez, gjysmë shqiptar dhe racizmi filloi të ndjehej. Ajo që duhet të bësh është të jesh i fortë mendërisht. Kishte disa episode. Kur luan mirë, nuk i jep vëmendje, por kur nuk po bën aq mirë, të dhemb.
Kishte lojtarë kundërshtarë, ashtu si edhe disa shokë skuadre, që më flisnin pas krahëve dhe mendonin që nuk kuptoja se çfarë po thoshin. “Ti irlandez, ti shqiptar”, gjëra të tilla.
Ishte shumë e vështirë, që pas katër muajsh desha të largohesha nga Interi, të largohesha nga Italia. Nuk kisha as familjen dhe as miqtë e mi. Të shkosh si i ri te Interi do të thotë të përballësh një vend shumë, shumë të vështirë nga pikëpamja futbollistike.
Kisha shumë ulje-ngritje, por u desh të përballesha me këtë. Më vunë të luaja në role të ndryshme, me një mënyrë trajnimi shumë të ndryshme nga ajo me të cilën isha mësuar. Ishte shumë agresive, shumë stil i vjetër.
Mënyra se si më mësonin gjërat ishte shumë e tepruar për mua. Mendoj se ka ardhur koha të largohem nga Italia. Nuk funksionoi për mua. Kam brenda vetes zjarrin që më bën të kem dëshirë që t’u tregoj Interit dhe Romës se gabuan”, tha ai.
Sezonin e fundit Zefi e kaloi te Roma U-21, por ende është në kërkim të një klubit të ri. Interes për të ka nga Holanda dhe Belgjika, megjithatë djaloshi ka edhe disa javë kohë për të vendosur të ardhmen.