Ditën e sotme është mbylluar procesi i rinumërimit të votave në Qarkun e Fierit. Sipas të dhënave të prodhuara nga ky proces rezulton se Zegjine Çaushi ka humbur mandatin e deputetes dhe vendin e saj në parlament e merr Maldrita Bardho me një diferencë prej 10 votash.
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Maldrita Bardho ka marrë 3616 vota preferencial, 1020 vota nga Diaspora dhe në total 4636 vota. Nga ana tjetër, Zegjine Caushi ka marrë 4026 vota preferenciale, 600 vota nga Diaspora dhe me një total prej 4626 votash.
Maldrita Bardho ka lindur më 14 mars 1984 në Fier dhe ka përfunduar studimet në Universitetin Kristal, ku mori diplomën e Shkencave në Farmaci. Bardho më parë, ka përfunduar edhe një diplomë të Nivelit të Dytë në Biologji-Kimi nga Universiteti i Shkencave të Natyrës në Tiranë.
Ajo ka punuar si farmaciste dhe më pas si drejtuese teknike në një farmaci në Lushnjë. Bardho ka edhe kualifikime në rolin e profesionistit të shëndetit, të marrë nga organizata ASME.
Gjithashtu ajo është dhe koordinator e Gruas në Njësinë Administrative Bubullimë, duke organizuar takime sociale si dhe aktivitete të Partisë Socialiste. Nga shtatori ajo do të përfaqësojë socialistët e Fierit në Kuvendin e ri.