Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ndërmarrë një veprim institucional duke i drejtuar një kërkesë zyrtare Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të shqyrtuar sjelljen dhe vendimmarrjen e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, lidhur me një prej çështjeve më të diskutuara të ditëve të fundit – ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit.
Kjo lëvizje vjen pas vendimit të prokurores Gjeli për mosfillimin e procedimit penal në një rast që përfshin ndërtime të konsideruara të jashtëligjshme, të vendosura në një nga destinacionet më të rëndësishme natyrore dhe turistike në Shqipëri. Në vendimin e saj të datës 30 maj 2025, prokurorja arsyetoi se struktura të tilla, të cilat nuk kishin themele të përhershme dhe ishin të natyrës së përkohshme (kontenierë), nuk përbëjnë vepër penale sipas ligjit për planifikimin e territorit, por kundravajtje administrative që trajtohen nga Inspektorati Kombëtar i Territorit (IKMT).
Por ky vendim ka shkaktuar një reagim të gjerë, si në nivel qeveritar, ashtu edhe publik, duke ngritur pyetje serioze mbi zbatimin e ligjit për mbrojtjen e mjedisit, luftën ndaj informalitetit në ndërtim dhe standartet e ndjekura nga organet e drejtësisë.
Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë, duke ushtruar të drejtën që i jep ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i është drejtuar ILD-së dhe KLP-së me kërkesë për verifikimin e shkeljeve të mundshme disiplinore nga ana e prokurores.
Procedura synon të shqyrtojë nëse prokurorja ka vepruar:
Në kundërshtim me ligjin dhe praktikën hetimore në fuqi;
Me mungesë të kujdesit profesional në trajtimin e çështjes;
Apo nëse ka patur mosrespektim të parimeve të pavarësisë dhe paanësisë në vendimmarrje.
Ndërkohë, Prokuroria e Shkodrës ka reaguar përmes një deklarate zyrtare duke mbrojtur vendimin e prokurores Gjeli si të bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në vlerësimin juridik të provave dhe situatës faktike, duke theksuar se objekti në fjalë nuk përbënte ndërtim në kuptimin penal të fjalës.
Çështja e ndërtimeve në Theth ka ngjallur debat të fortë edhe në opinionin publik për shkak të vlerës së lartë mjedisore dhe kulturore të zonës, si dhe për shkak të raportimeve që personat që kishin ngritur strukturat ishin të lidhur me veprimtari të paligjshme ose me individë të dënuar më parë.
Duke qenë se kjo është një çështje që prek integritetin e veprimit të prokurorisë në raport me interesin publik, hapat e mëtejshëm në ILD dhe KLP pritet të ndjekin procedurën e zakonshme për verifikimin e shkeljeve dhe marrjen e masave, nëse konstatohet ndonjë shkelje disiplinore.