Në Kalasë, një fshat në njësinë administrative të Delvinës, situata është përshkallëzuar ndjeshëm për shkak të përhapjes së flakëve, të ndihmuara nga era e fuqishme. Zjarri është afruar rrezikshëm pranë zonës së banuar, duke detyruar autoritetet të nisin evakuimin e banorëve për të garantuar sigurinë e jetës së tyre.

Në operacionin për përballimin e situatës janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, forca nga Ushtria Shqiptare, zjarrfikës të Bazës së Mbështetjes së Emergjencave Civile, si dhe një helikopter Black Haëk që po përdoret për ndërhyrje nga ajri.

Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, ndodhet në terren së bashku me Kryetarin e Bashkisë Delvinë, z. Besmir Veli. Të dy po ndjekin nga afër zhvillimet, duke koordinuar përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe ndihmën ndaj komunitetit të prekur.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencës, ndërsa puna për neutralizimin e zjarrit vijon me intensitet, mes një situate ende të rrezikshme.