Askush tashmë nuk e vë në dyshim. Te Lamine Yamal, Barcelona sheh pasuesin e Messit në çdo aspekt, jo vetëm në fushë, por dhe jashtë saj.

Drejtuesit e klubit bluagrana po kujdesen që Yamal të jetë imazhi i ri i klubit, e tashmja dhe e ardhmja, kjo tregohet qartë nga kontrata e fundit që firmosi talenti spanjol, një kontratë deri në 2031, për 20 milionë euro në sezon dhe mbi të gjitha, fanela me numrin ‘10’.

Kjo është një super kontratë, me shumë kosto, të paktën kjo ide të krijohet, por Yamal është kthyer në një fenomen të futbollit botëror, një lojtar që po frymëzon miliona të rinj në të gjithë botën.

Vetëm në 48 orë pas kontratës së tij të re, Barcelona ka fituar jo pak por 10 milionë euro, vetëm nga shitja e fanelave.

Sipas mediave spanjole, fanela e re e Lamine Yamal me numrin ‘10’, është shitur në 170 vende të ndryshme të botës, me afro 700 mijë fanela, çka do të thotë 10 milionë euro përfitime për klubin blaugrana.

Ky trend pritet të vijojë edhe për shumë kohë, me Yamal që pritet të kthehet në imazhin më të madh jo vetëm të Barcelonës, por dhe të futbollit botëror. Në sytë e të gjithë botës, sulmuesi spanjol shihet si pasuesi i dyshes së famshme, Messi-Ronaldo.