Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në një deklaratë për mediat këtë të hënë, reagoi ndaj përplasjes së fundit me bashkëkryetarin e Nismës Thurje, Endrit Shabani, lidhur me mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni në zgjedhjet e 11 majit.
Lapaj akuzoi Shabanin se ka thyer marrëveshjen mes dy forcave dhe se po përpiqet të marrë një mandat që i takon një tjetër kandidateje.
“Kam pritur zbatimin e kësaj marrëveshjeje, por kur u informova se një nga kandidatët e zotit Shabani u tërhoq nga ky zotim, u bë e qartë se marrëveshja nuk po respektohej. Ligji elektoral i padrejtë na detyroi të përdorim këtë mënyrë për të djegur listat e mbyllura. Më vjen keq që ky zotim tani po shkelej. Të vijmë bashkë dhe të japim dorëheqjen, që mandati t’i kalojë më të votuarës së listës, zonjës Greta Ambeli. Zoti Shabani kërkon që mandati të shkojë tek ai, jo tek më e votuara e ‘Shqipëria Bëhet’. Kjo nuk është ajo për të cilën i kërkuam besimin qytetarëve.”-tha Lapaj.
Më tej, Lapaj e krahasoi situatën me rastet që sipas tij ndodhin në partitë në pushtet, duke e cilësuar tentativën për të marrë mandatin si pjesë e një loje politike që synon të dëmtojë forcat e reja dhe të ndëshkojë modelin e listave të hapura.
“Do të funksiononte si partia në pushtet ku një kandidate që e humbi mandatin nga rinumërimi e rimori për 5 minuta edhe pse pala tjetër po festonte që po merrte mandate. Ne jemi një forcë e vogël dhe e re që na janë vjedhur 5 mandate në tavolinë për shkak të sistemit, ku sërish po mundohet që me skuthllëk t’i vjedhë dhe një mandat legjitim sepse duhet patjetër patjetër që të digjet modeli i listave të hapura. Ky është qëllimi i sistemit dhe duhet patjetër që Adriatik Lapaj të rrijë jashtë parlamentit, sepse në një sallë ku bëhet tallava dhe thuhen të vërteta është problem që të shkojë një zë i pakontrolluar.”-tha Lapaj.