Pas javësh të mbushura me tensione dhe polemika që kërcënonin të përçanin dhomat e zhveshjes së Interit, duket se qetësia po rikthehet në kampin zikaltër. Lautaro Martinez dhe Markus Turam, dyshja sulmuese që sezonin e kaluar u pagëzua si “ThuLa”, kanë lënë pas mosmarrëveshjet që kishin shpërthyer pas Kupës së Botës për Klube. Gjithçka nisi me disa deklarata të nxehta të kapitenit Lautaro, që kritikoi indirekt bashkëlojtarin Hakan Çalhanoglu pas disfatës ndaj Fluminenses.

Më pas, erdhi reagimi i fortë i mesfushorit turk në rrjetet sociale, i cili u mbështet nga një “pëlqim” domethënës i Turamit. Kjo ndërhyrje e francezit u interpretua si një distancim nga qëndrimi i argjentinasit dhe si një sinjal alarmi për unitetin e brendshëm të skuadrës. Për trajnerin e ri Kristian Kivu, një sfidë e padëshiruar që vjen pas nisjes së aventurës së tij në pankinën zikaltër. Por duket se situata është zbutur, dhe ironikisht, janë vetë rrjetet sociale, të njëjtat që ndezën polemikat, që sinjalizojnë afrimin mes dy yjeve të sulmit.

Në një postim të fundit në “Instagram”, Lautaro shfaqet në pushime me familjen, i buzëqeshur dhe i relaksuar. Në komente, bie në sy një ndërhyrje miqësore nga Turami. “Bëj kujdes se nuk di të notosh”. Komenti, që ka marrë mijëra pëlqime nga tifozët e Interit, është parë si një shenjë pajtimi mes dy sulmuesve, një takim digjital që ka rikthyer buzëqeshjet në mjedisin zikaltër. Sipas raportimeve pranë klubit, dy lojtarët janë takuar privatisht në një bisedë për sqarim, madje edhe një “kafe pajtimi” ka ndihmuar në shuarjen e tensioneve. Një zhvillim pozitiv për Kivunë, që mund të nisë sezonin me një grup të bashkuar dhe pa çarje të brendshme.