Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër paralajmërim lidhur me zaptimin e hapësirave publike. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Rama ka ndarë një rast ku është marrë një dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, ndërsa nënvizon se do të ketë një reagim lidhur me këtë rast për t’i anuluar ligjërisht. Toleranca do të jetë zero shton kryeministri Rama. Po ashtu thekson se së shpejt do të miratohet si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit, apo të Kadastrës që kanë firmosur legalizime të tilla.
“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”, shprehet kryeministri Edi Rama në reagimin e tij në Facebook.