Një tjetër goditje në merkato nga Premier League, me shifra që, edhe pse respektojnë vlerën e lojtarëve të përfshirë, duken të ekzagjeruara. Liverpool ka finalizuar për 69 milionë paund (rreth 80 milionë euro), plus 10 të tjera (rreth 11,5 milionë euro) në formë bonusesh, blerjen nga Eintracht Frankfurt të sulmuesit 23-vjeçar Hugo Ekitike, autor i 22 golave në 48 ndeshje me skuadrën gjermane sezonin e kaluar.
Në repartin ofensiv të Reds, Ekitike do të zëvendësojë Diogo Jotën, i cili fatkeqësisht humbi jetën në një aksident rrugor.
Në qershor, Liverpool kishte blerë Florian Wirtz dhe Jeremy Frimpong nga Bayer Leverkusen, përkatësisht për 135 dhe 34,7 milionë euro. Tani drejtuesit e kampionëve të Anglisë do të fokusohen në shitje, duke kërkuar të largojnë Darwin Núñez dhe Federico Chiesa, ndërsa deri tani kanë refuzuar ofertat e Bayern Munich për Luis Díaz.
Një strategji vërtet e veçantë e ndjekur këtë sezon nga “The Reds”. Pavarësisht se arritën të shpalleshin kampion në Premier League sezonin e shkuar, duket se Arne Slot dhe drejtuesit kanë vendosur të ndryshojnë, duke kryer shumë lëvizje sidomos në sulm, me repartin ofensiv që thuajse ka ndryshuar plotësish “fytyrë”.