Debati mes dy politikanëve, njëri në gadishullin e Ballkanit e tjetri në ishullin britanik është një ofertë brilante për të kënaqur vanitetin e publikut në piskun e vapës së verës. Seriali i shkëmbimeve në distancë mes Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë dhe Nigel Farange, kryetar partie i ekstremit të djathtë në Britaninë e Madhe, i ka të gjithë përbërësit e duhur për t’u shndërruar në hit vere. Të dy populistë dhe narcizistë, gojëshpata dhe produkte tipike të një kohe të dashuruar me formën, u bënë bashkë papritur në duelin e polemikës. Në fakt, ndryshe nga sa duket, nuk ka armiqësi mes tyre. Ndeshja është Wrestling politik. Eshtë një teatër artistik ku edhe pse duket se kundërshtarët i marrin shpirtin tjetrit, realisht nuk lëndohet askush. Shfaqja që dikur argëtonte dhe Donald Trumpin, në të vërtetë është një skenar “artistik” që shpall fitues vetëm argëtimin e spektatorëve. Kurse nga “gladiatorët”, secili triumfon për turmën e tij.

Ndër të dy, fitues është Rama që ushqen edhe njëherë psikozën e Davidit triumfues që vjen nga një vend i vogël, që mbron krenarinë kombëtare, që mposht pinjollin e ish-perandorisë ku nuk perëndonte dielli kurrë dhe që shpaguan burrërisht atë spirale të pafund frustrimesh që afron jeta e emigrantit. Një lloj revanshi që festohet edhe kur është i vonuar. Si një ilaç që jepet mbasi paçienti është ngritur në këmbë. Kurse Farange, politikani i Brexit, natyrisht nuk është i humbur. Si gjithë të djathtët ksenofobë dhe egocentrikë, ai rreket të gjejë përgjigje për çdo problem të brendshëm, tek pushtimi që kanë bërë vendit të tij emigrantët e huaj. Që nga kriza e çmimeve e deri tek papunësia, nga problemet e kriminalitetit e deri tek ekuilibret politikë. Madje edhe më shumë tek këto të fundit, nëse mendohet kombësia e prejardhja e ndonjë kryeministri, kryetari bashkie apo dhe një numër i madh deputetësh. Fundja, ksenofobia është në modë në këtë kohë, sa kohë edhe multimiliarderit Musk i kujtohet se mund të deportohet në Afrikën e Jugut.

Pyetja sesa real është ky debat, mund të marrë përgjigje të ndryshme. Sepse ky është rasti tipik kur debati në dukje si ushtrim aritmetik dhe për parime sociologjike, shndërrohet në një çështje direkte marketingu. Kur secili shqetësohet kryesisht për tregun vetjak. Ky është gjithashtu rasti klasik kur debati shndërrohet në ndeshje mes faktit dhe opinionit dhe kur opinioni dhe fakti zëvendësojnë njëri-tjetrin, ndërthurren me njëri-tjetrin dhe nuk mund të mbijetojnë dot pa njëri-tjetrin.

Ai nisi me gjykimin për vendin që ze kriminaliteti shqiptar në Britaninë e Madhe. Për Farange, një në pesë shqiptarë në Britani është në burg. Për Ramën kjo shifër është shumëfish më e vogël. Ky kolaps shifrash vjen sepse të dy nisen nga projeksione të ndryshme për praninë shqiptare në ishul; nga rreth 50 mijë që beson britaniku, deri në rreth 300 mijë të tillë që mendon Rama. Nëse do të saktësohej kjo shifër, atëherë nuk do të kishte më vend për ndeshje të mëtejshme, por jo. Të dy, edhe shqiptari kokëfortë, edhe britaniku kontravers, kanë nevojë që saga të vazhdojë. Kështu të dy mbeten në në qendër të vëmendjes dhe bëhen personazhe që votohen me rradhë në stilin e Big Brother: “Kush do ta lerë shtëpinë i pari?”.

Për paradoks, aleat i Farange është dhe gjithë opozita shqiptare, e çila e konsideron kriminalitetin shqiptar si dominues në Evropë dhe bashkatdhetarët trafikantë, i quan si krerë të mafias ndërkombëtare. Me gjasë, në opozitë edhe e besojnë sinqerisht një marrëzi të tillë, që çmend shifrat dhe sfidon logjikën. Por shifrat dhe logjika nuk i rezistojnë miteve të reja moderne. Tipologjia e veçantë e krimit shqiptar ndihmon shumë në këtë keqkuptim. Krimi shqiptar është shumë i dukshëm, është shumë i ashpër dhe për paradoks, është krimi tipik që nuk fshihet sepse është edhe krim e postim instagrami. Trafikanti shqiptar nuk e quan punën e kryer nëse nuk e di gjithë lagja se ai është i pasur. Nuk i del dot llogaria e parave në vetmi, pa i nxjerrë krenarisht në foto. Nuk i hyjnë lekët në sy, nëse nuk shndërrohen në makina, banesa e festa luksi që t’i admirojë e brohorasë gjithë dynjaja. Që nuk e ka problem edhe ta votojë si deputet. Por nëse në Shqipëri kjo gjë konsiderohet normale dhe i blatohet respekt, në Britani e njëjta gjë është gjurma e parë që çon drejt ndëshkimit të tyre. Por këto detaje nuk janë pjesë e debatit mes dy politikanëve. Eshtë verë dhe nuk kanë shumë kohë.

Se çfarë mund të shënjojë ky episod për Farange në Britani, kjo ka pak rëndësi në Tiranë, por për Ramën problemi ndërlikohet pak në segmentin Londër – Tiranë. Në llogarinë e Fitore/Humbjes vetjake, kryeministri duhet të shënjojë se ka tërhequr pas vetes, së paku, edhe vëmendjen e tabloidëve të pamëshirshëm britanikë. Vite më parë, një shaka gjermane për Mbretëreshën, u pasua nga një sulm hakmarrës për ditë me rradhë nga britanikët për Angela Merkelin. Gjë që nuk e bëri fare, po fare të lumtur kançelaren e hekurt. Nuk është çudi që dhe Rama të provojë të njëjtën shije, çka do të ishte megjithatë gjysma e të keqes sepse vëmendja e mundshme e pjesës tjetër të medias serioze britanike, mund të jetë shumë herë më problematike për të. Ajo media, pavarësisht bastit që Rama vuri me Farange dhe premtimit që nëse humbte, do t’i kthente “banditët” në shtëpi”, ndoshta mund t’i kujtojë Ramës se kjo gjë nuk varet nga vullneti i tij. Se një marrëveshje e nënshkruar mes dy vendeve për transferimin e të burgosurve, shkon përtej vullnetit të individit, qoftë ky edhe kryeministri i vendit pritës. Qoftë ky dhe vetë Rama që ka kohë që bashkëjeton me bindjen se Shqipëria është një xhaketë që i rri e ngushtë në supe e madhështi.

Por në fakt e gjitha kjo nuk duhet marrë shumë seriozisht. Eshtë vetëm një lajm vere. Eshtë Wrestling politik. Ndaj ja vlen që publiku të argëtohet njëlloj si në shfaqje sepse as njëri dhe as tjetri nuk ja kanë me të keq njëri-tjetrit. Dhe nëse takohen kësaj vere në Dhërmi apo në Jalë, do t’ja kalojnë mirë në shoqërinë e verës së kuqe e ndoshta dhe qofteve tipike shqiptare. Fundja nga ky skaj Ballkani shkojnë emigrantë në Ishull, siç thotë Farange, por nga Britania mund të vijë si turist në Shqipëri, edhe vetë Farange, sic do të thote nesër Rama./ Javanews