Një polic godet me shpullë një kamarier 18-vjeçar. Fadroma që shembin shtëpitë në Theth. Policë në pozicion luftimi. Mungoi vetëm desantimi i RENEAs mbi çatitë alpine.
Ku ishte polici, inspektori, deputeti, kryeplaku, kryetari i bashkisë kur hapeshin themelet?
Pse shteti zgjohet vetëm kur përfundon çatia?
Zgjidhja? Dhunë. Madje sa më spektakolare.
Dhe nga malet dhuna zbret në studio. Zënka reale dhe të stisura. Për audiencë.
Dhunë në shkollë.
Një gjol komentuesish, që “në vend të truve kanë byk”, mezi presin të zbrazin mllefin.
Nuk ka vend për argument e logjike.
Një filozof francez thotë se dhuna është treguesi më i vërtetë i mungesës së fjalorit. Komunikimi shndërrohet në konfrontim.
Idhujt e rinj janë të fortit.
E kemi bërë dhunën pjesë të gjuhës, sjelljes, dhe pjesë të zgjidhjes.
Nuk dëgjojmë, bërtasim.
Nuk bindim, kërcënojmë.
Në vend të fjalës, kemi grushtin.
Në vend të mendjes, kemi muskujt.
Dhe arroganca e të fortit shfaqet sa te polici halabak që godet një 18-vjeçar (dhe nuk kërkon as ndjesë) deri te ligjvënësit pa tru dhe pa nder që miratojnë me dhunën e kartonit ligje në dëm të interesit publik.
Është më lehtë të sundosh një turmë të frikësuar për bukën e gojës, sesa qytetarë të vetëdijshëm.
Edhe tradita nuk na ndihmon shumë : “kush të rreh, të do”, “dajaku ka dalë nga xheneti”…
Fjala e ka humbur vlerën. Edukimi duket demode. Injorantët janë më të bindur se kurrë dhe budallenjtë kanë marrë kot.
Lajmi mirë është që disa libra ende shiten për t’u përdorur si aksesor në plazh.