Një vit pas vendosjes së rolit të ri të mësuesit koordinator të orientimit të karrierës në shkollat e arsimit parauniversitar, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me mësuesit koordinatorë, ku u ndanë përvoja, u vlerësuan arritjet dhe u diskutuan hapat e mëtejshëm për fuqizimin e këtij funksioni kyç.
Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes shkollës, familjes dhe aktorëve të tjerë për t’i orientuar fëmijët drejt zgjedhjeve të informuara për të ardhmen:

“Klasa është njësia bazë e shkollës, shkolla është njësia bazë e sistemit tonë arsimor dhe është e rëndësishme që politikat që orientohen nga lart, pra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në nevojat kombëtare dhe ato globale që sot janë për sa i përket tregut global të punës, por edhe përgatitjes së brezave të rinj për profesionet e së ardhmes, të mundet që të ndërthuren me atë që ne e kemi kaq shumë të vlefshme me identifikimin e prirjeve të talenteve të fëmijëve tanë, me promovimin e prirjeve dhe të talenteve të fëmijëve tanë. Ndaj kemi përfshirë për të parën herë rolin e mësuesit i cili koordinon të gjithë instrumentet dhe paketën e mbështetjes për orientimin e karrierës në shkollë.”