Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se Gjykata Kushtetuese është mbrojtësi i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën Kushtetuese (Vëllimi II), Ministri Manja u shpreh se ky Udhërrëfyesit përmban masa të forta për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.

“Në një shtet demokratik, Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit.

Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit.

Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të vitit të kaluar, përmban masa të qarta dhe ambicioze për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.

Ai synon: përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë”, tha Manja.

Manja tha se këto masa janë pjesë e një vizioni më të gjerë për të garantuar një drejtësi më të hapur, të përgjegjshme dhe të besueshme për qytetarët. Manja u ndal edhe tek procesi i integrimi të Shqipërisë në BE, duke thënë se është një reformë e thellë shoqërore. E në këtë reformë, ministri theksoi se Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç, të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik. Manja u shprej se janë të përkushtuar për ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit.

“Për Shqipërinë, procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një reformë e thellë shoqërore dhe institucionale. Përafrimi me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, i drejtë dhe efektiv. Në këtë proces, Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç: të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë me të gjitha mjetet institucionale këtë proces. Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtësisht me Gjykatën Kushtetuese, me gjykatat e tjera, me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar zbatimin e reformave dhe ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit. Kjo nuk është një punë që mund të bëhet vetëm. Kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëbesim dhe dialog të hapur ndërmjet të gjitha institucioneve”, tha Manja.