Qeveria ka miratuar një vendim të ri që i hap rrugë ngritjes së një strukture të përbashkët për trajnimin dhe zhvillimin profesional të administratës vendore. E quajtur “Akademia Vendore”, kjo njësi do të krijohet nga bashkitë në bashkëpunim me Ministrin për Pushtetin Vendor dhe do të funksionojë si organizatë jofitimprurëse.
Qëllimi i saj është të ofrojë trajnime të rregullta për kryebashkiakët, nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë të bashkive, për t’i ndihmuar ata të përmbushin më mirë detyrat ndaj qytetarëve dhe të rrisin cilësinë e shërbimeve publike.
Qeveria do të mbulojë kostot fillestare të themelimit dhe të paktën gjysmën e shpenzimeve për tri vitet e para. Programet e trajnimit do të zhvillohen në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, duke siguruar standarde të larta profesionale.
Ky vendim vjen si një masë konkrete për të forcuar pushtetin vendor dhe për të përgatitur më mirë bashkitë për sfidat e zhvillimit dhe integrimit evropian.