I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, juristi Ylli Manjani ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me debatin për mandatin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Manjani ka qenë shumë i ashpër me Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin, duke e quajtur këtë situatë si një fyerje ndaj votuesve që u besuan.
Manjani tha se kritikat e tij të ashpra i ka për faktin se mendon që si Lapaj, edhe Shabani, janë tallur dhe kanë fyer 60 mijë votuesit e tyre.
“Përveç risjelljes në skenë të filmit Shtigje lufte, ku Kanani dhe Shabani zihen, janë personazhe që krijojnë atë atmosferën e luftës nacionalçlirimtare, kjo është një karagjozllëk i jashtëzakonshëm! Të dy zotërinjtë janë tallur rëndë – dhe shumë rëndë – me votuesit e tyre, sepse kanë bërë atë idiotësi, maskarallëk. Kanë futur në lista deputetë që paramendohej që nuk do ishin deputetë. Kjo është të tallesh, as më pak e as më shumë. Një parti politike serioze nuk futet në zgjedhje me disa deputetë që japin dorëheqje pa hyrë në zgjedhje, dhe me disa të tjerë që qenkan mbi këta – dhe për më tepër që qenkan dhe familjarë! Vaj halli t’u japësh pushtet këtyre… këta fusin gjithë familjarët në punë. Shifeni sa seriozë janë: njeri më karagjoz se tjetri. Janë tallur rëndë – dhe shumë rëndë – me ato 60 mijë veta që kanë shkuar dhe u kanë dhënë votën. Kjo është të tallesh. Kjo nuk është serioze. Dhe lavdi Zotit që kanë marrë vetëm një mandat që s’i duhet askujt”, tha Manjani.
Manjani e cilësoi kandidatin Zeqir Kordhoni si kokrën e burrit, pasi sipas tij, me veprimin e tij i tregoi publikut se kush janë Lapaj dhe Shabani.”
“Dhe doni të vërtetën? Ai Zeqiri është kokrra e burrit që i nxorri legena këta të dy, sepse ka ekspozuar në sytë e publikut një mashtrim elektoral shumë të rëndë. Këta nuk meritojnë të jenë në politikë për këtë që kanë bërë – sepse kanë gënjyer, kanë mashtruar 60 mijë veta. Dhe nuk është pak! Ky është mashtrim elektoral. Dhe Zeqiri është denoncuesi i këtij mashtrimi. Për shkak të këtij mashtrimi, sigurisht që ky mandat nuk i takon Adriatik Lapajt. Këta ishin gallatë edhe në fushatë. Do i zëmë nga gryka, do çajmë sistemin, do bëjmë hata, do shiste naftë ky tjetri… Dhe nuk janë të rastësishme këto karagjozlliqet e sotme”, tha Manjani.