Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka përshpejtuar hetimet për çështjen Epstein, duke dërguar zëvendësministrin Todd Blanche të marrë në pyetje Ghislaine Maxwell, ish-e dashura dhe bashkëpunëtorja e miliarderit pedofil, që u vetëvra në burg në vitin 2019.
Maxwell, e dënuar me 20 vite burg për joshjen e vajzave të mitura në vështirësi ekonomike për t’i dorëzuar tek Epstein, shprehet e gatshme të flasë.
Vëllai i saj, Ian, konfirmoi për New York Post se ajo ka në dorë prova materiale të panjohura gjatë gjyqit të vitit 2021. Deri më tani, Maxwell nuk kishte dëshmuar kurrë, pavarësisht se ishte në dijeni të plotë të axhendës private të Epstein: emra, data, vende.
Departamenti i Drejtësisë duket se ka dashur të veprojë përpara Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, i cili e ka thirrur Maxwell-in në dëgjesë më 11 gusht, një vendim i mbështetur nga të gjithë demokratët dhe tre republikanë. Por çfarë ngre dyshime është fakti që për ta marrë në pyetje nuk është dërguar një prokuror i zakonshëm, por vetë zëvendësministri Todd Blanche, ish-avokat i Donald Trump në proceset për Stormy Daniels dhe sulmin e 6 janarit.
Intervistimi u zhvillua në burgun federal të Tallahassee, Florida, ku Maxwell po vuan dënimin. Avokati i saj, David Oscar Markus, tha për mediat: “Zonja Maxwell iu përgjigj çdo pyetjeje. Nuk e ndaloi asnjëherë marrjen në pyetje, nuk u mbrojt me ndonjë privilegj ligjor, dha përgjigje të sinqerta dhe të plota.”
Qëllimi zyrtar i takimit ishte të hetoheshin zbulimet e reja që ajo pretendon të bëjë. Por vizita ka ndezur spekulimet se bëhet fjalë për një tentativë për të negociuar, ndoshta një marrëveshje, ndoshta falje, për të kontrolluar pasojat e mundshme politike të dëshmive që mund të përfshijnë figura të larta.
Intervista ndodhi në një klimë të tensionuar politike, pas zbulimeve të fundit të Wall Street Journal.
Këto zbulime kanë përçarë bazën republikane pro-Trump dhe u kanë dhënë demokratëve një armë të fuqishme. Senatori Adam Schiff ka kërkuar dëshminë e Bondi-t dhe shefit të FBI-së, Kash Patel. Po ashtu, disa republikanë janë bashkuar me demokratët për të thirrur në dëshmi edhe Bill dhe Hillary Clinton, të cilët dikur e takonin Epstein-in, ish-drejtorin e FBI-së James Comey dhe madje edhe ish-prokurorin e posaçëm Robert Mueller.
Për më tepër, është pushuar nga detyra edhe Maurene Comey, vajza e James Comey, prokurore që kishte hetuar dosjen Maxwell-Epstein.
Gjithçka duket se është në prag të një stuhie të re politike, me emra të mëdhenj që mund të përfshihen në një nga skandalet më të errëta të kohëve moderne.