Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të dyshuarit e vrasjes së 56-vjeçarit, Anesti Rama. Tre të akuzuarit Emalinda Rama, 26-vjeçe, nëna e saj Valbona Rama 53-vjeçe dhe Çlirim Dogani, 55-vjeçari banues në Arapaj, u paraqitën mesditën e kësaj të hëne në gjykatë, ku u njohën me masën e sigurisë.
Nënë e bijë janë parë të qeta dhe pa shenja pendese për krimin e kryer, gjë që ka nxitur reagime të forta në opinionin publik. Mësohet se para togave të zeza, të tre të akuzuarit kanë mohuar krimin para gjykatës, duke dhënë deklarata kontradiktore. Sa i përket dyshimeve se 26-vjeçarja ka qenë në një lidhje me të akuzuarin tjetër Çlirim Dogani, avokati njoftoi se gjatë dëshmisë, Emalinda Rama ka qenë e çekuilibruar dhe i ka mohuar disa herë qëndrimet e saj.
“Deklaratat e bëra prej tyre këto ditë ishin shumë kontradiktore me çfarë deklaruan sot në procesin gjyqësor para gjykatës. Sot mohuan plotësisht përfshirjen në vrasje. Ata thonë ‘nuk dimë asgjë kush e ka vrarë, ne e gjetëm të vdekur. Emalinda është e çekuilibruar dhe i mohon qëndrimet e saj disa herë. Ajo ka pasur disa fejesa, pretendimi i saj është se ka kryer marrëdhënie me atë shtetas 1 vit përpara, ky është pretendimi i fundit”, -shprehet për mediat avokati Kastriot Dyrmishi.
Emanilda Rama (vajza e viktimës), Valbona Rama (bashkëshortja e tij), dhe Çlirim Dogani u lanë sot në burg. Të tre akuzohen se kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimit, i cili fillimisht u paraqit nga familjarët si një vdekje natyrale.
Ngjarja ndodhi me 24 korrik, ku 26-vjeçarja mbyti me tel babain e saj. Në deklarimin e parë të saj Emalinda Rama është shprehur përpara efektivëve se i ati ishte rrëzuar në shtëpi aksidentalisht dhe kishte ndërruar jetë. Por shenjat në fytin e Anesti Rama, 56 vjeç, bënë që Policia e Fierit të dyshonin se kishin të bënin me një vrasje dhe jo me ngjarje aksidentale. Nga këqyrja e kufomës u konstatua se trupi i pajetë kishte shenja dhune edhe në pjesët intime. Vrasja dyshohet të jetë menduar mirë nga nënë e bijë. E gjitha kjo pasi të dyja e kishin dërguar dy ditë më parë tek kardiologu me qëllim që të justifikonin vdekjen e Anesti Ramës. Pas zbardhjes së krimit, Emelinda Rama e ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se babai i saj ishte fanatik, nuk e linte të dilte dhe ndaj ishte detyruar të ndërmerrte aktin ekstrem.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen u arrestua edhe Çlirim Dogani 55-vjeç, banues në fshatin Arapaj të Roskovecit. Sipas bluve, Dogani ka bashkëpunuar me Ramën për të mbytur me tel babain e saj Anesti Rama, si dhe ka përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.