Ndërsa Shqipëria po hyn në një fazë vendimtare të mbylljes së kapitujve duke vënë si objektiv vitin 2027, një nga standardet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian – të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve – në Shqipëri po cenohen rëndë dhe po justifikohen nga drejtësia e re si një nevojë për fushatë ndëshkimore.
Institucionet e reja të drejtësisë, në traditën më të keqe të institucioneve të tjera të shtetit shqiptar, vazhdojnë të mos i marrin seriozisht të drejtat e njeriut, si në proceset penale ashtu edhe në seancat gjyqësore.
Në fakt, mandati i Avokatit të Popullit – që merret me të drejtat e njeriut dhe supozohet të vëzhgojë respektimin e tyre nga institucionet publike – ka përfunduar prej më shumë se tre vitesh dhe Parlamenti ende nuk e ka zëvendësuar, për shkak se e sheh atë si një pazarllek politik dhe jo si institucion themelor për të drejtat e njeriut. Për pasojë, janë dhënë sinjale negative në drejtim të Bashkimit Evropian, siç është pasqyruar edhe në progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian për rritjen e standardeve të të drejtave të njeriut.
Edhe institucionet e reja të drejtësisë, si SPAK apo BKH, janë përballur në Gjykatën Kushtetuese me disa praktika antikushtetuese të tyre, çështje që tregojnë qartë se ka probleme serioze, edhe pse këto institucione konsiderohen të reja dhe të reformuara.
Një nga rastet më problematike ku SPAK ka dështuar, janë vendimet e mëposhtme:
Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nr. 147, datë 23.12.2021 (çështja Lapsi.al)
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 21, datë 24.04.2025 (çështja E. Qyno)
Çështja Lapsi.al është konfirmuar edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Provat digjitale në procesin penal në Shqipëri janë një zhvillim relativisht i ri. Administrimi i tyre rregullohet vetëm nga neni 208/a i Kodit të Procedurës Penale (shtuar në vitin 2008). Po ashtu, mbështetje ligjore vjen nga Konventa e Budapestit për Krimet Kibernetike, e ratifikuar nga Kuvendi me ligjin nr. 8888, datë 25.04.2002, si dhe nga doracaku i Gjykatës Evropiane për përdorimin e provave elektronike.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, në një vendim gjykate që lejon kontrollin e banesës dhe të personit, duhet të përcaktohet paraprakisht se cilat sende lejohen të sekuestrohen. Prokuroria, zakonisht, bën kërkesë për pajisje si kompjuterë, laptopë, hard disqe, USB, telefona – pavarësisht se kujt i përkasin – por duhet të arsyetohet lidhja e tyre me një vepër penale konkrete. Praktika e SPAK, në shumë raste, nuk ndjek këtë standard: nuk ka vendim sekuestrimi për një objekt të caktuar, por vetëm pasi kopjohet përmbajtja, fillon “gjuetia” për prova të tjera të mundshme. Kjo është shkelje e nenit 208/a të Kodit të Procedurës Penale.
Për shembull, në rastin e qytetares Onejda Ymeraj, telefoni iu sekuestrua nga SPAK, por nuk u hetua për çështjen për të cilën u mor telefoni, por filloi “gjahu” i mesazheve. U cenua rëndë privatësia dhe u përfshinë edhe të dhëna të ndjeshme të pacientëve që ajo menaxhonte si drejtore spitali. Gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, u provua se të dhënat e marra nuk kishin lidhje me hetimin, për më tepër, prokurori kishte aksesuar të dhëna shëndetësore që sipas Konventës Evropiane dhe legjislacionit të BE-së, duhen marrë vetëm me vendim gjykate.
Në një rast tjetër, në hetimin ndaj I. B., oficeri i BKH ka sekuestruar telefonin e punës të vajzës së tij, e cila punon në një bankë të huaj. Telefoni përmbante të dhëna sensitive të bankës, edhe pse vajza ishte në Tiranë vetëm për pushime dhe nuk kishte asnjë lidhje me hetimin.
Po ashtu, në çështjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, janë rrjedhur në media të dhëna personale dhe komunikime të tij dhe bashkëshortes nga telefonat e sekuestruar, duke cenuar rëndë privatësinë dhe duke i keqpërdorur për të shtuar dramatizimin në mënyrë cinike e të papërgjegjshme.
Gjatë hetimeve për Arben Ahmetajn, janë thirrur për pyetje edhe fëmijë të mitur, madje është kërkuar analizë e AND-së për çarçafët, për të vërtetuar kush ka fjetur në çarçafë.
Shembuj të tjerë përfshijnë frikësimin e dëshmitarëve gjatë hetimeve, prokurorë me “gjak në sy” që drejtojnë gishtin nga qelia ndersa tue pyesin, kërkesa për të firmosur deklarata pa shpjegime ligjore apo rrëmbime telefonash në rrugë – të gjitha këto janë abuzime që kërkojnë trajtim serioz institucional.SPAK ka sekuestruar mbi 978 celularë pa respektuar rregullat ligjore, dhe këto praktika do të kenë pasoja financiare nëse çështjet përfundojnë në Strasburg.
Për këtë arsye, pas betimit të Parlamentit të ri në shtator, duhet të krijohet një Komision Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, me qëllim monitorimin dhe garantimin e përputhshmërisë së të gjitha ligjeve dhe praktikave me standardet evropiane për të drejtat e njeriut.
Ky Komision nuk duhet të drejtohet nga prokurorë apo gjyqtarë që janë bërë deputetë për të mbrojtur veten. Ai duhet të drejtohet nga njerëz me integritet që i konsiderojnë të drejtat e njeriut si lirinë më të madhe që fituam në dhjetor 1990 – liri që po e varrosim në vitin 2025. Por, për më tepër, nuk duhet të presim se nga çfarë fshati do të jetë kryetari i ri i SPAK që ta gjejmë andej edhe Ministrin e ri të Drejtësisë,. Po ashtu nuk duhet të shpresojmë që konfliktet brenda llojit në PD dhe PS të jenë gjahu i drejtësisë së re, e cila mbulon paaftësinë e saj me shërbime politike të ashtuquajtura “të balancuara”, duke e kthyer shpresën për drejtësi, në një mekanizëm poltik që u shërben luftrave politike brenda dy partive të mëdha.
Komisioni duhet të garantojë që çdo i akuzuar të konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet fajësia, dhe jo anasjelltas – siç ndodh sot. Kjo është mënyra më e sigurt për të shmangur regresin dhe për të përshpejtuar integrimin evropian.
Nëse të Drejtat Themelore të Njeriut nuk merren seriozisht, do të thotë që liria nuk është marrë seriozisht. Dhe kjo liri, e kthyer në mjete hakmarrjeje, do ta largojë edhe më shumë Shqipërinë nga BE-ja, sado mirë që t’i përkthejmë ligjet me inteligjencë artificiale.