Yuri Kim u shfaq në një video para Departamentit të Shtetit, duke përcjellë me duartrokitje kolegët e saj që i ka kapur plani i shkurtimeve, i hartuar nga Elon Musk. Janë rreth 1300 të tillë që do të largohen nga Departamenti i Shtetit. Siç e ka bërë të qartë edhe vetë Departamenti, ata nuk po largohen për shkak të performancës së tyre, por sepse departamentet ku punojnë janë përfshirë nga plani i shkurtimit. Pra, ata nuk po largohen si zyrtarë armiqësorë, por si të tepërt.
Yuri Kim mund të ishte në këtë listë, por ende nuk është. Edhe pse opozita ka festuar tri herë për shkarkimin e saj, ajo është ende në detyrë. E thashë që mund të shkurtohej, por ka pasur fat që nuk punon në sektorët që po preken nga shkurtime.
Problemi që ka opozita me të është dyfish më i rëndë. Këta e duan si të shkarkuar dhe me motiv që i ka rënë në qafë Sali Berishës.
Tani, te shkarkimi ende nuk kanë pasur fat. Nuk është as meritë e Yurit që nuk është përfshirë në listën e shkarkimeve, as meritë e LaCivitës që ua ka marrë për sipër me 6 milionë dollarë. Thjesht, SHBA nuk punon me mendjen e ndryshkur të Berishës dhe pasuesve të tij.
Nga ana tjetër, halli më i madh i këtyre është që ajo të shkarkohet me motivacion se u ka thënë demokratëve që nëse shkoni pas Berishës, do hani bar. Fatkeqësisht për ta, parashikimi i saj është realizuar dhe tejkaluar. As bar nuk ka më për ta. Shumica po hidhen në lëndinat e Edi Ramës për të kullotur, nën shembullin e Shkëlzenit që është hedhur me kohë dhe po rivitalizon me leje ndërtimi pronat e tij, të marra nën emrat e njohur si pseudonime të tij në biznes.
Por që të shkarkohet Yuri Kim me motivacionin që i ka rënë në qafë Sali Berishës, duhet që së pari SHBA t’i heqë Berishës sanksionet “non grata” për veten, gruan, djalin dhe vajzën, të akuzuar për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazh mbi sistemin e drejtësisë.
Jo vetëm që nuk ka asnjë shenjë që ato mund të hiqen, por ka rikonfirmime për politikën e sanksioneve në rajon. Kështu që, derisa të ndodhë kjo, Yuri Kim-it i mbetet “dekorta” që ka bërë mirë punën e SHBA në Shqipëri.
Pastaj, nëse këto milionat e Berishës e shpëtojnë atë nga “non grata”-ja, ajo të paktën u ka bërë një shërbim shqiptarëve: u ka hequr një pjesë lekësh të fituara nga korrupsioni i familjes Berisha dhe i ka çuar në atdheun e saj. Kaq nuk është pak për hajdutët e pangopur të Shqipërisë.
Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.
Ndaj demokratët e Berishës duhet ta marrin më qetë këtë betejë me Yuri Kim, se po e vuajnë më shumë se sa kanë vuajtur socialistët dikur deklaratën e Rayerson-it më 1992 për ish-komunistët.
Këta nuk kanë fuqi as ta heqin, as ta vendosin në ndonjë detyrë Yuri Kim-in, pasi SHBA nuk funksionon me rregullat e Berishës. Policimi i jetës së Yuri Kim nga falangat e Berishës është vetëm një shenjë turpi për shoqërinë tonë, që na tregon njerëz primitivë që jetojnë me mite të krijuara nga një shpëllar.
Tani u mbetet të ruajnë mos martohet apo divorcohet, mos sëmuret apo shërohet, mos ngrihet në detyrë apo zbret nga detyra, që t’i shpjegojnë edhe këto me gjërat që ka bërë në Shqipëri. Ky afsh primitiv që i shkon nga Shqipëria si aromë fekalesh deri në Uashington, thjesht mund t’ia kujtojë sa mirë e ka bërë detyrën, por nuk shpjegon dot jetën e saj në SHBA.
Ajo nuk ka asnjë lidhje me detyrën që ka bërë në Shqipëri, përveç faktit që kjo “intifadë” tregon se e ka bërë shumë mirë.
Në SHBA nuk funksionojnë as thashethemet e SHQUP-it, dhe as mitet që Berisha ngre për të krijuar alibi për humbjet e tij në zgjedhje apo shpalljen e tij “non grata”. Të njëjtin problem e ka edhe me Britaninë e Madhe. Edhe aty harxhoi miliona dhe e humbi betejën.
Një parti që, në vend të shpëtojë nga Berisha, përpiqet të shpëtojë biografinë e stërrosur të Sali Berishës, nuk ka asnjë shans të mbijetojë, edhe sikur të hajë bar siç i kishte paralajmëruar Yuri Kim.
Është një ofertë që ka skaduar. Nëse provojnë të pyesin: “A ka më bar, se jemi penduar?”, përgjigjja popullorce është: Ka një m…/ TEMA