Nga Namir Lapardhaja
Në fëmijërinë tonë, sidomos gjatë jetës në fshat, cilësimin ‘lango’ e përdornim më tepër për qenin e vetmuar, që lehte, ishte pa zot, dhe vërdallisej rrugëve kot. Varianti ‘lango’ shfaqej herë-herë edhe në variantin ‘llango’, në varësi të përdoruesit. Më vonë, kur me kalimin e viteve dhe me ndryshimet demografike, dalngadalë fjala humbet përdorim dhe kuptim, në adoleshencë rishfaqet në trajtë fyese dhe sharëse ndaj dikujt që në vend që t’i zbrazësh një batare fjalësh dhe fyerjes, i këput vetëm ‘ik ëre lango’ dhe nuk e zgjat më tej, kthen kurrizin dhe largohesh nga Langua.
Mirëpo, siç shpjegohet edhe nga policët gjuhësor të dialektologjisë dhe të gjuhësisë, fjala në kohë dhe periudha të caktuara, mund të mbart kuptime dhe ngarkesa të ndryshme.
Në përditshmërinë e sotme, langoja nuk ka të bëjë as me qenin e fazës së parë, as me atë sharjen e fazës së dytë, sepse langua zakonisht zbulohet, shpallet, nga mënyra se si flet për gjithçka, pa e marrë asgjë seriozisht, me lehtësinë me të cilën kalon nga një mendim në tjetrin, pa e ndjerë peshën e asnjërit, me një vetëbesim të çuditshëm, që nuk i buron nga dija, por nga boshllëku i budallallëkut.
Sot më shumë se sa dje, langoja e gjen gjithmonë fajin dhe përgjegjësinë te të tjerët, por asnjëherë të vetja, është i cekët në gjykim, mendjelehtë në sjellje, i pavëmendshëm në pasoja.
Në një shoqëri normale langoja nuk do ishte në periferi të saj, por në skutat e thella të askundit. Jo vetëm që nuk do të dëgjohej, por as nuk do dihej për të. Nuk bëhej fjalë të lexohej, por do të ishte krejt i papërfillshëm, për shkak se askush nuk do kishte dijeni për të.
Në kontrast të thellë të këtij cilësimi në shoqërinë normale, shoqëria tjetër, nëse mund ta quajmë: e jona, ku langoja vihet në qoshe, paguhet për të ‘llapur’ dhe për të shpifur, duke u bërë zëri që flet, fytyra që shfaqet dhe shembulli ku duhet referuar.
Langoja flet në emër të ligjit, të arsyes, të moralit, të kombit, të së ardhmes, duke qenë i bindur për gjithçka. Ai nuk gabon kurrë, ai thjesht vazhdon i paprekur nga faktet, rrethanat, i imunizuar nga logjika dhe i mbrojtur nga zhurma që vetë prodhon.
Ndonjëherë lango shndërrohet edhe në gango, duke e humbur kështu kufirin mes zhurmës dhe gumëzhitjes, duke relativizuar dhe duke banalizuar gjithçka.
E keqja nuk është se langoja vetëm flet, por se ai nuk ndalet kurrë, për shkak se nuk njeh kufij, nuk di çfarë është heshtja, nuk njeh çfarë është turpi.
Publiku nuk rresht së duartrokituri langon.
A është lango një problem i ri apo i vjetër?
Pyetje me vend. Ndofta ekrani dhe virtualiteti e kanë ‘ndyrë’ më shumë botën me kategorinë e langove, duke e shtyrë shoqërinë në shtigje të gabuara të ngutjes e nevojës vetëm për të folur, por asnjëherë për të menduar.




















