Për një moment mendoni sikur drejtuesi i sotëm i Aleancës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të ketë marrë seriozisht Sali Berishën, që u ka kërkuar të rikthejnë zgjedhjet e lira në vendin e tij, dhe të ketë shkuar të hapë letrat e historisë së zgjedhjeve në Shqipëri.
Për herë të parë Shqipëria përmendet në raportet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në maj të vitit 1996, duke u klasifikuar si vendi i parë i ish-lindjes komuniste (përjashto ish-republikat sovjetike), që shkatërroi procesin zgjedhor me themel duke përjashtuar opozitën nga zgjedhjet.
Përfytyroni pak sekretaren e tij që i thotë:
-Po shef, ka të drejtë ai zotëria. Në Shqipëri qenkan shkatërruar zgjedhjet qysh më 1996.
-Si quhej ai që i ka shkatërruar?
-Sali Berisha.
-Duhet të jetë ndonjë pasardhës i tij, se e kanë emrin njësoj.
-Jo shef, është ai vetë.
Kjo mizaskenë hipotetike, prej disa sekondash, është thelbi i shfaqjes së tij teatrale sot në Portugali.
Misioni i ODIHR ndoshta do të ishte reduktuar dhe mbyllur me kohë, nëse nuk do të ishte Sali Berisha. Autoriteti i ODIHR u ngrit dhe u konsiderua se duhet të vazhdonte të ekzistonte pas zgjedhjeve të 26 majit 1996 në Shqipëri, ku goditja që iu dha zgjedhjeve të Berishës ishte vendimtare jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për ODIHR, i cili po bëhej organizatë e panevojshme, për shkak se vendet e tjera komuniste, së paku në pjesën qëndrore dhe juglindore të Evropës, po ecnin pa probleme.
Në atë kohë Sali Berisha u përpoq të përdorte Asamblenë Parlamentare të OSBE-së kundër ODIHR-it, për shkak të miqësisë që kishte me kryetaren e Asamblesë së saj dhe kryetarin e misionit që ajo kishte caktuar, por dështoi.
Për të gjithë ata që nuk e kanë të qartë, Asambleja Parlamentare e OSBE-së është një përfaqësi e të gjithë parlamenteve të vendeve anëtare të OSBE-së, një pjesë e madhe e të cilave nuk janë as vende demokratike dhe as bëjnë zgjedhje fare, siç janë ish-republikat sovjetike.
Por edhe kaq pak rëndësi që ka në aspektin e përfaqësimit të vlerave demokratike, as Asambleja e OSBE-së nuk i pranoi zgjedhjet e 26 majit.
Tani kjo thirrja e tij që kjo Asamble të rikthejë zgjedhjet e lira në atdheun e tij, duhet të marrë një përgjigje.
Nëse dikush nga Asambleja merr në telefon KQZ dhe e pyet për rinumërimin, përsëri PD ka dalë e para në listë për votat e pamerituara që ka marrë. Këto janë zgjedhje të lira dhe nga më të mirat e historisë së Shqipërisë, por dhe këtu ata prapë kanë abuzuar më shumë se të tjerët.
Kështu që rekomandimi i parë i Asamblesë së OSBE-së në përgjigje të kërkesës së Sali Berishës duhet të jetë i thjeshtë dhe duhet të fillojë me metodën e përjashtimit. Për të kuptuar ku është problemi duhet përjashtuar krijuesi i parë i problemit.
Prej 30 vjetësh ne kemi vetëm një refren: sa herë ai vjedh dhe përdhunon zgjedhjet, i quan të lira, dhe sa herë humbet, i quan të vjedhura. Atëherë, ose do ta mbajmë në politikë që të kemi këtë mundim gjithmonë, ose duhet të rikthejmë zgjedhjet e lira në PD dhe ta nxjerrim nga politika si humbës.
Se e vërteta e hidhur nuk është që Sali Berisha është armik i zgjedhjeve të lira, por që zgjedhjet e lira janë armiku më i madh i Sali Berishës.
Me zgjedhje të lira, siç e shikoni, ai humbet thellë prej vitit 1992, dhe i vetmi vend ku i ndalon zgjedhjet e lira, është partia e tij, pasi së paku nuk do të humbasë aty.
Dhe ky është i vetmi problem që ka Shqipëria me zgjedhjet e lira në shtëpinë politike të Sali Berishës. Në pjesën tjetër të Shqipërisë, për fat, ato janë dhe e mbrojnë Shqipërinë nga Sali Berisha./Tema