Screenshot

Autoriteti i mediave audiovizive dhe inspektorati shtetëror i punës dhe shërbimeve shoqërore zhvilluan një tryeze konsultative me përfaqësues të mediave për një mjedis pune të denjë dhe të sigurt për gazetarët dhe të gjithë punonjësit e mediave.

“Sot sektori i medias në përgjithësi dhe ai audioviziv në veçanti përballet me sfida të shumta. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm te sasia, shpejtësia e informacionit konkurrenca për shikueshmëri apo tek fakti që teknologjia ka ridimensionuar vetë konceptin e medias. E kam fjalën për një sërë problematikash ndoshta te trashëguara nga e kaluara që kërkojnë vëmendjen tonë dhe që lidhen me mungesën e garancive të mjaftueshme për kushtet e punës së gazetarëve. Më duhet të theksoj tregu audioviziv është ligjërisht i rregulluar dhe se problematikat në këtë industri janë më pak të ndjeshme”, tha Armela Krasniqi, kreu i AMA-s.

Autoriteti i Mediave Audiovizuale ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me inspektoratin shtetëror të punës dhe sigurimeve shoqërore për të ndjekur çdo problematike qe haset në respektim të kontratave te punës, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe gjithçka që cenon një mjedis të shëndetshëm pune në media, të cilat lidhen direkt me një media të lirë, theksoi Krasniqi.

“Ne kemi marrë sinjalizime nga vetë gazetarët organizata të shoqërisë civile për informalitet, vonesa në pagesa, mungesa të sigurimeve shoqërore. Këto problematika i kemi adresuar dhe ndjekur, por kemi menduar të shkojmë një hap më tej. Marrëveshja na mundëson bashkëpunim në identifikimin e problematikave ligjore disa here dhe teknike si dhe trajnime për punonjësit e mediave”, tha Krasniqi.

“Ne kemi rreth 900 denoncime, por inspektojmë aty ku risku është më i lartë”, tha Elio Muça, kreu i inspektoratit shtetëror të punës dhe shërbimeve shoqërore.
Përmirësimi i kushteve të punës për punonjësit e medias të cilat janë një element kyç dhe ndikojnë në lirinë e medias mbeten thelbësore në procesin e integrimit të Shqipërisë.