PROF.DR. ELMAS LECI
“Ne ju ndihmuam me sinqeritet, ndërsa ju jeni mosmirënjohës”, i shkruan Mao Ce Duni, Enver Hoxhës. Ky është rrëfimi i gjeneralit të dënuar nga Enver Hoxha, Halim Ramohito. Kjo sipas studiuesit Kujtim Boriçi, është një letër e pohuar nga gjenerali Ramohito gjatë një interviste për ndihmat kineze. “Kinezët, pavarësisht nga divergjencat politike që Enver Hoxha i krijoi artificialisht me ta, të gjitha marrëveshjet në fushën ushtarake i kanë zbatuar me një korrektësi të veçantë. E përsëris se deklaratat e Enver Hoxhës për “ndihmën” kineze janë jo vetëm të pasakta, por sipas fakteve e dokumenteve, vetëm rreth 10 për qind e buxhetit të shtetit tonë në atë periudhë ishte caktuar për nevojat e Ushtrisë.
E gjithë kjo shumë, mezi përballonte shpenzimet për rrogat e kuadrove e të shpenzimeve të tjera të Ushtrisë dhe jo më të përballonte vlerat kolosale të armatimeve, sidomos ato të rënda. Për t’i blerë ato, nuk mjaftonte jo vetëm buxheti i shtetit tonë i një vitit, por as i disa viteve të marra së bashku. Pra, ishin kinezët ata që mbajtën në këmbë Ushtrinë shqiptare të diktaturës me armë e logjistikë luftarake bashkëkohore. Dhe të gjitha këto shpenzime kolosale për Ushtrinë, i përballoi populli i Kinës, deri edhe çimenton e hekurin me të cilat u bë në atë kohë fortifikimi i vendit. Megjithatë, dua të kujtoj, – deklaronte gjeneral Ramohito, – se një nga të 12 akuzat që na bëri Enver Hoxha në fjalën e mbylljes të Plenumit të 6-të, -ishte edhe akuza “për sabotimin e fortifikimit të vendit”.
Nga sa jam në dijeni, ndihmat kolosale që na dhanë qeveria dhe populli kinez në fushat ekonomike dhe ushtarake, Enver Hoxha nisi t’i nënvleftësonte duke u shprehur se “ata (kinezët) e kishin për detyrë të na ndihmonin e ta bënin këtë”, duke shtuar me cinizëm se “më shumë na paskan sabotuar sesa ndihmuar” dhe se ne, “megjithatë ua paskemi paguar deri në një këto ndihma”. Përballë mosmirënjohjes së Enver Hoxhës lidhur me ndihmat, reaguan edhe vetë kinezët. Qeveria kineze, për mosmirënjohjen për ndihmat, akuzoi Enver Hoxhën dhe qeverinë shqiptare, por jo popullin shqiptar, duke përdorur fjalën shumë të rëndë, por shumë të merituar: Mosmirënjohës për Enver Hoxhën”.
Është fakt se ndihmat ekonomike dhe ushtarake të Kinës ndaj Shqipërisë, patën filluar disa vite më parë dhe ato njohën kulme pas viteve 1961, ndërsa ndihmat ushtarake datojnë aty nga viti 1963, pak kohë pasi Shqipëria, de facto, u shkëput nga Traktati i Varshavës. Dy vite më parë, në Vlorë kishte ndodhur divorci real me Bashkimin Sovjetik. Pala shqiptare kishte ndërprerë bashkëpunimin me Traktatin e Varshavës, përfshi edhe me bazën ushtarake të Vlorës dhe për pasojë edhe të gjitha lidhjet e tjera me këtë organizatë politiko – ushtarake të Luftës së Ftohtë, ishin ndërprerë. Pas kësaj as Moska as Varshava, nuk mund të ishin më partnerë në ndihmë të ushtrisë shqiptare. Duhej ndërruar trajektorja në Lindjen e Largët, drejt Republikës Popullore të Kinës, me të cilën Shqipëria u bashkua gjatë konfliktit të Enver Hoxhës me Hrushovin në Bukuresht e në Moskë, kryesisht për arsye të kultit të individit.
Në vitin 1968, kur Shqipëria zyrtarisht denoncoi Traktatin e Varshavës dhe de jure shpalli daljen nga aleanca, ajo ndjeu më shumë se kurrë nevojën për intensifikimin e ndihmave ushtarake kineze. Kina, nga ana e saj, kishte përmirësuar dukshëm teknologjinë ushtarake në këtë kohë dhe kishte shtuar mundësitë reale për ndihmë. Prandaj agresioni i Bashkimit Sovjetik dhe i vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës kundër Çekosllovakisë, ishte një rast i mirë, për të dalë edhe de jure nga ai organizëm ushtarak. Ashtu si në ekonomi, edhe në fushën ushtarake procesin e bashkëpunimit me Kinën e ndihmoi dhe njëkohësisht e kushtëzoi identifikimi për disa vite i politikave të përbashkëta në planin e brendshëm e të jashtëm.
Në bazë të dokumenteve zyrtare, ndihma ushtarake që qeveria kineze i dha vetëm për periudhën 1963-1975 Shqipërisë, është deri dhjetëfish më e madhe sesa ndihma që i dha në fushën ushtarake BS vendit tonë gjatë gjithë periudhës 1947-1961, duke përfshirë këtu edhe shpenzimet e sovjetikëve për ndërtimin e bazës ushtarakedetare të Pashalimanit. Megjithëse shpenzimet e sovjetikëve në këtë bazë ishin të konsiderueshme, ato nuk ua kalonin përfitimeve politike, strategjike e ushtarake që ata patën atëherë në këtë rajon. Udhëheqësve të BS iu tha në atë periudhë se “Ju, vërtet keni harxhuar hekur e çeliqe për të ndërtuar e sjellë në vendin tonë anije dhe tani na i kërkoni që ato t’jua kthejmë, në kundërshtim me marrëveshjet që kemi bërë me ju, por toka, deti, ushtarakët dhe krahu i punës kanë qenë dhe ishin vetëm tonat në këtë bazë”.
Në kohën që Mao Ce Duni ishte pothuajse në grahmat e fundit, Enver Hoxha edhe një herë i shkruan një letër 10 faqëshe dhe me Reis Malilen ia nis direkt. Ky është një dokument i nëntorit të vitit 1975 kur sapo Enver Hoxha kishte dënuar puçistët e Ushtrisë, ku kishte akuzuar për të edhe vetë direkt Çu En Lain. Shikoni se çfarë kërkon Enver Hoxha Kinës: Armë të lehta këmbësorie, mitraloza e mortaja 250.000 copë, topa kundërtanke 1.500, topa fushorë 600, artileri reaktive 100, mitraloza kundërajrorë dygrykësh dhe katërgrykësh 1.500, topa kundërajrorë 37 mm dhe 100 mm 600 copë, raketa kundërtanke 1.500, raketa tokë-det grupe 400, raketa kundërajrore të mesme 400, raketa kundërajrore të lehta 1.000 copë, tanke 800 copë, transportues të blinduar 300 copë, avionë reaktivë luftarakë dhe mësimorë 65, helikopterë 98. Dhe lista e kërkesave vazhdon, e cila është shumë e gjatë, me katëra silurues, anije mbiujëse, municione për armë të lehta këmbësorie, predha mitralozash, predha granatahedhëse, mortaja etj. Para kësaj letre, Enver Hoxha kishte dërguar direkt në Kinë përfaqësuesin e tij të besuar Adil Çarçanin, të cilit i kishte dhënë porosi “merr ç’të marrësh”, sepse në atë “derexhe e kishte katandisur” procesin e marrëdhënieve miqësore me to.
Kërkesat padyshim, por edhe qëndrimi kritikues i Enver Hoxhës ndaj “politikës së hapjes” së Kinës, ishin një politikë e çmendur e tij, e cila i ka sjellë dëme, në radhë të parë traditave luftarake shekullore të popullit dhe të Ushtrisë tonë, përveç dëmeve materiale kolosale. Erdhën nga Kina e largët në sasi dhe cilësi qindra avionë nga më modernet për kohën, për të mbrojtur kufijtë e Atdheut dhe jo për të mbrojtur udhëheqjen e atëhershme në zonën e “Bllokut” të Tiranës. U prunë njëmijë tanke e dhjetëra mijë topa të rëndë për të mbrojtur kufijtë dhe për t’u matur me tanket e Jugosllavisë, që ishin nxjerrë karshi Shqipërisë qysh në vitet ’60- të, por edhe më vonë nga kazermat dhe ishin lëshuar në sheshet e Kosovës kundër revoltës së studentëve legjendarë të Universitetit të Prishtinës. Tanket serbe ishin dislokuar në masë edhe në kufijtë e shtetit shqiptar veriorë dhe verilindorë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fqinjin jugor, që mbante forca të mëdha e moderne ushtarake në kufi me Shqipërinë.
Tanket dhe armët e rënda të Ushtrisë shqiptare, u prunë nga Kina e largët për t’u përdorur eventualisht në një agresion ushtarak kundër Shqipërisë, pasi me “alltiet” e vjetra dhe me “jataganët” e këngëve epike e historike, nuk mund të përballohej teknika luftarake moderne e agresori eventual. Në një intervistë gjeneral-lejtnant Rrahman Parllaku, pohonte se ndihmat kineze për Ushtrinë shqiptare ishin të jashtëzakonshme. Ai theksonte asokohe se nga llogaritjet që ishin bërë, këto në atë kohë kapnin shifrën në total prej 11 miliardë dollarë amerikanë, e pjesëtuar në vite, afërsisht një miliard dollarë në vit. Rrahman Parllaku ishte ndër drejtuesit kryesorë të ushtrisë shqiptare, zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e disa herë zëvendës ministër i Mbrojtjes. Kishte marrë pjesë vetë në bisedimet me kinezët në përbërje të delegacioneve ushtarake dhe kështu që ishte dëshmitar i planeve, kërkesave, marrëveshjeve dhe furnizimeve ushtarake me armë, avionë dhe logjistikë nga Kina. Kina dha ndihma ushtarake pa kursim gjatë kohës së marrëdhënieve të mira me Shqipërinë dhe këtë e dëshmojnë edhe shumë burime të tjera, si dhe dëshmitarë të shumtë, pjesëmarrës në operacionet e realizmit të këtyre ndihmave të jashtëzakonshme.68)
Është fakt se me ndihmën kineze, me investimet dhe furnizimet e saj, Shqipëria realizoi një transformim rrënjësor të Ushtrisë, jo vetëm për shkak të furnizimeve ushtarake, por edhe të investimit për ndërtimin e fabrikave ushtarake në vend. Pavarësisht se për çdo avion të importuar nga Kina, ajo dha mesatarisht edhe dy motorë rezervë, përsëri me ndihmën kineze u ndërtua Uzina e Aviacionit në Kuçovë, e cila bënte edhe riparimin kapital të motorëve të avionëve luftarakë dhe ku u punësuan mbi 300 punëtorë shqiptarë. Ndërsa për të mundësuar prodhimin e armatimit të lehtë në Shqipëri, kinezët punuan dhe ndihmuan për ndërtimin e dy fabrikave të prodhimit të këtij armatimi si dhe të municioneve luftarake. Ata ndërtuan një uzinë të riparimit kapital të tankeve, por edhe të nëndetëseve. Të gjitha ndihmat e saj, Kina i realizoi duke qenë e bindur se Shqipëria nuk kishte nevojë dhe arsye për të bërë shpenzime kaq të mëdha në fushën ushtarake.
Kinezët patën pikëpamjen se Shqipërisë i duhej të siguronte një mbrojtje të fuqishme, por jo edhe nga ndonjë sulm i blloqeve më të mëdha ushtarake të kohës, pasi në asnjë rrethanë ajo nuk do të mund të përballonte një sulm të tillë. Por duket se në vendimmarrjen e Pekinit, për të ndihmuar ushtarakisht Shqipërinë, ka ndihmuar fakti se Republika Popullore e Kinës nuk mund të futej në luftë nëse Shqipëria sulmohej nga një vend ose një grup shtetesh të tjera. Ky fakt u justifikua me largësinë e madhe midis Shqipërisë dhe Kinës dhe pamundësinë e Pekinit për t’i ardhur në ndihmë në rast agresioni Shqipërisë. Në këto kushte, Pekini kishte vendosur pothuajse jashtë bindjeve të tij, të ndihmonte në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe në fakt këtë e realizoi në përshtatje me mundësitë e saj, si dhe me nevojat kryesore që vlerësohej se Shqipëria kishte nevojë.
Diplomacia ushtarake në bashkëpunimin midis të dy vendeve parashikoi kështu ndihmën për ta fuqizuar Shqipërinë, që ajo të ishte vetë e aftë të përballonte ndonjë sulm të jashtëm ushtarak. Ajo që u evidentua si mangësi, sidomos në vitet ’70-të, u tentua të futeshin edhe koncepte të mendimit filozofik ushtarak të Mao Ce Dunit si vija e masave, kontrolli punëtor, demokracia në ushtri, shkuarja e kuadrove për t’u kalitur drejtpërdrejt në prodhim etj. Për vetë mentalitetin shqiptar, për vetë zhvillimin historik të saj, këto koncepte nuk zunë vend në Ushtrinë shqiptare, për arsye se ashtu siç kishte thënë edhe vetë Mao Ce Duni “ato ishin të përshtatshme kryesisht për syrin dhe veshët e mentalitetit kinez”. Pavarësisht Enver Hoxha nga frika e “ushtarakëve” të shkolluar e vendosi kudo syrin dhe veshin e tij, komisarët politikë në komanda, drejtimin e ushtrisë me anën e komiteteve të partisë dhe vendimin për heqjen e gradave, metoda që u kopjuan nga Kina.
Këto masa që u etiketuan si reforma në ushtri, nuk mund të mos sillnin në atë periudhë dobësimin e disiplinës e të hierarkisë ushtarake dhe rënien e autoritetit të komandës. Vetë kinezët, në Ushtrinë e tyre e kuptuan këtë rrezik dhe në vitet ’80-të, i rivendosën përsëri gradat, kurse Shqipëria priti vitin 1992, pas ndryshimeve demokratike në vend, për të rivendosur gradat dhe komandën unike në ushtri. Lidhur me rolin e këshilltarëve ushtarakë kinezë në Ushtrinë shqiptare, vlen të thuhet se nuk ka pasur as nuk është kërkuar ndonjëherë të kemi këshilltarë ushtarakë kinezë, përjashtuar ndonjë specialisti të veçantë në uzinën e remontit të nëndetëseve.
Kjo diktohej edhe nga fakti se niveli ushtarak profesional i përgatitjes së kuadrove, të armëve dhe shërbimeve speciale në ushtri në atë periudhë, nuk kishte ndonjë ndryshim nga ai i kinezëve. Në vendin tonë, kinezët zëvendësuan përkohësisht me njerëzit e tyre vetëm një qendër zbulimi (përgjimi) në Dhërmi të Himarës, të cilën më parë e kishin sovjetikët. Ata ngritën gjithashtu në Cërrik një stacion për ritransmetim të programeve të Radio Pekinit dhe në Universitetin e Tiranës përgatiteshin për gjuhën shqipe një grup kinezësh ushtarakë.
*Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë e Mbrojtjes