At Shtjefën Gjeçovi (1874-1929)
Më 12 korrik përkujtojmë 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, klerikut françeskan, etnologut, arkeologut dhe shkrimtarit që u bë një nga figurat më të shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Ai lindi në Janievë të Kosovës më 12 korrik të vitit 1874. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan (Lezhë), në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci e Bosnje.
Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj. Shkrimet letrare e shkencore të tij përshkohen nga ndjenjat e atdhetarisë, idetë e përparimit të vendit nëpërmjet dijes e kulturës. Është ndër autorët e parë të dramës shqipe me veprën “Dashtunia e Atdheut” në vitin 1901. Më 1910 botoi veprën morale-didaktike “Agimi i gjytetnisë”.
Ndihmesën më të rëndësishme e dha në fushën e etnologjisë. Me një punë hulumtuese shumëvjeçare përgatiti për botim veprën madhore “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Shkodër 1933, që e bëri të njohur në botën shkencore.
Ka lënë gjithashtu shkrime të shumta, të botuara e të pabotuara, për doke e zakone të lindjes, të martesës e të vdekjes, për gjëmën, për mikpritjen e besën shqiptare, për rite e besime popullore pagane, për përshëndetje e fjalë të urta, fjalë të rralla, por më së shumti u mor me të drejtën zakonore shqiptare. Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doctor honoris causa”.
Është dekoruar me Urdhërin “Për veprimtari patriotike”, dhe me Urdhërin “Naim Frashëri”. Me veprën dhe përkushtimin e tij, ai la një trashëgimi të pashlyeshme në kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Burimi nga: Mark Tirta, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 813-814.