Nga Hermes Kafexhiu/

(Kronikë e një spastrimi që s’është as spontan, as i rastësishëm është një shpërblim për heshtjen kolektive)

Shqiptari i ri ka një talent të rrallë, e zhyt spatën në tokën e vet si pushtues. I vendos armët mbi një luginë, një kodër, një shpellë a një park kombëtar dhe nuk sheh as pemën, as ligjin, as të nesërmen. Sheh veç lekët që i ngjiten në tru si myku mureve.

E gjithë kjo që po ndodh në Theth, e jo vetëm atje, është një antologji e babëzisë. Një pornografi e betonit që ndërtohet pa ndjesi, pa tru, pa ligj, pa truall. Një orgji çmontimi e një vendi që as nuk e njohim më. Dhe pastaj, si në një dramë të lirë pa skenografi, të gjithë zaptuesit dalin dhe thonë:
“Na tha Rama.”

Kush jeni ju që merrni guximin të bëni krim dhe pastaj fshiheni si minj pas emrit të një njeriu? Çfarë shpirtërash të ndyrë duhet të jeni që e shihni një park kombëtar dhe mendoni:

“Këtu do bëj katër dhoma me pamje”?!

A jeni të sëmurë apo thjesht të humbur në delir?

Këtu nuk kemi të bëjmë me investim. Kemi të bëjmë me kolonializëm modern. Zaptim me stil “Resort Boutique”. Kemi të bëjmë me një pushtim të brendshëm, ku shqiptari po i bie me kazmë shpirtit të vet. Nuk është më armiku ai që na gllabëron nga jashtë është kushëriri, ortaku, miku i deputetit, pronari me lidhje që po na e gllabëron nga brenda.

Hapësirat publike në këtë vend janë të shenjta. Por në këtë vend askush nuk beson më në gjëra të shenjta. Këtu gjithçka është e shitshme. Një copë bjeshkë? Jepi! Një përrua me ujë të kristaltë? Jepi! Një majë mali e mbuluar me mjegull e legjenda? Jepi dhe aty një “glamping”.

Dhe më pas vjen pjesa më e pistë. Inspektoratet e Ndërtimit. Këta nuk janë institucione. Janë lavanderi për ndërtues pa leje. Janë shkelës profesionistë të ligjit. Janë metazoti. Prej vitesh, këta burokratë me sy të pangopur kanë lejuar ndërtimin e një Shqipërie që s’ka lidhje me ligjin. Kanë ngrënë, kanë marrë, kanë firmosur, kanë heshtur, kanë lënë të ndërtohet mbi kockat e së përbashkëtës.

Policia e Shtetit? Kukull.
Policia Bashkiake? Lolo me uniformë.

Të gjithë dinin. Të gjithë panë. Askush nuk e hapi gojën. Sepse në këtë vend, që të ndërtosh pa leje nuk është krim është thjesht një sport për të zgjuarit, për të lidhurit, për të përkëdhelurit.

Mos e ktheni këtë histori në një shfaqje teatrale ku “investitori” është viktimë dhe “shteti” është përbindësh. Ju, që u ngjitët në Theth me plan biznesi dhe me shpresë për të bërë miliona në një park kombëtar, jeni vrasës të shpirtit të këtij vendi. Nuk keni ndërtuar. Keni dhunuar.

Nëse sot prishet ndonjë ndërtim, mos u tronditni. Po pastrohet një krim. Në fakt, është një përpjekje për ta larë mëkatin kolektiv me vonesë, me gjysmë guximi, me frikë nga kamera, jo me ideal.

Por nuk mjafton. Sepse nuk mjafton të prishësh ç’është ndërtuar pa leje. Duhet të shpallet emër për emër, kush lejoi, kush heshti, kush mori ryshfet, kush mbrojti zaptuesin. Duhet ta shohim njëherë këtë shtet duke vënë prangat mbi duart që jo vetëm kanë ndërtuar pa leje, por mbi duart që e bënë të mundur këtë krim me buzëqeshje, me duartrokitje, me kafe e koka me letra.

Kjo është një lëvizje pastrimi që nuk duhet të ndalet në Theth. Thethi është veç pasqyra ku po duket fytyra jonë e përçudnuar. Nga Valbona në Ksamil, nga Dajti në Zvërnec – e gjithë Shqipëria është shndërruar në një kantier ku shteti ka zgjedhur të jetë ose notar i ndërtuesve, ose hije në sfond.

Mjaft më!

Mjaft me përrallën “na tha Rama”. Mjaft me këtë narcizëm kolektiv që na bën të besojmë se çdo gjë është justifikim, çdo ligj është i përkohshëm, çdo territor është për t’u shitur.
Shqipëria s’është tokë private. Është e përbashkët. Dhe kush e dhunon të përbashkëtën, duhet të dënohet publikisht. Me emër, me pranga, me turp.
Nëse nuk ndodh kjo, atëherë pranojmë zyrtarisht që ky vend i përket jo atyre që ndërtojnë, por atyre që rrënojnë.

Ky është një spastrim që duhej të kishte ndodhur dje le të ndodhë sot, edhe të mos ndalet.