I pa kursyer në akuza ndaj njerëzve të drejtësisë kohët e fundit, Sali Berisha bëri një përjashtim për prokuroren Elsa Gjeli, të cilën e mori ne mbrojtje, pas këmbënguljes së Qeverisë për hetim disiplinor të saj për mënyrën sesi hetoi Thethin.
“Prej dy javësh ajo po merret me një prokurore të re që kishte zbatuar ligjin dhe jo vullnetin e kryeministrit. Dhe tani po bëhet luftë se si ta shkarkojnë dhe ta shajnë. Këto reforma, të cilat i dhanë qeverisë kontrollin e gjyqësorit po shkatërrojnë vendin dhe janë shumë të dëmshme për demokracinë në Shqipëri”-tha Berisha.
Mbrojte për magjistratën Gjeli, por sulm për prokurorët e SPAK. Kur vjen fjala tek drejtësia, Berisha nuk ka standard të njëjte.
“Kemi një prokurori të posaçme, pothuajse identike me kohën e diktaturës. Pse? Sepse prokuroria e posaçme në shkelje të çdo parimi ka të drejtë të vendosë përgjime për cilido gjykatës që përdor dosjet dhe gjyqtari vendos që vendimin që do marrë do jetë siç do prokurori.”
Në konferencën ‘The Western Balkans Paradigm’, ku morën pjese përfaqësues të partisë Popullore Europiane , Sali Berisha foli për rrezikun e futjes se elementeve kriminal ne delegacionet e Bashkimit Europian.
“Në delegacionet e radhës së BE ka rrezik që kartelet e drogës nga Shqipëria të vendosin përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Stabilizimit, në Këshillin e Europës dhe në agjencitë e tjera.”
Kryedemokrati ia ka dalë të binde partinë simotër për farsën elektorale.
“Sigurisht që këto zgjedhje nuk ishin të drejta, ishin të kushtëzuara prej ndikimeve politike, prej ndikimeve dhe presioneve ekonomike. Dhe kjo është e konfirmuar nga raporti i OSBE/ODIHR. Duhet të merren masat e nevojshme për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe për të vendosur shtetin e së drejtës.”
Afati 2030 për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian për Sali Berishën nuk është realist ndërsa për sekretarin e PPE integrimi duhet te bazohet ne standarde te qarta.