Gazetari Fatos Mahmutaj, ka komentuar situatën me ndërtimet pa leje në zonën turistike të Thethit, duke e cilësuar si një “katrahurë” të ndërtuar mbi mungesën e zbatimit të ligjit dhe përfitimin nga fushatat zgjedhore.
Sipas tij, shumë qytetarë kanë zgjedhur rrugën e shkurtër për të ndërtuar ilegalisht, duke përfituar nga periudha e qetësisë institucionale gjatë zgjedhjeve.
Mahmutaj thekson se qeveria, përmes nismave të rilindjes urbane, po përpiqet të legalizojë këtë realitet me mjete ligjore, një rrugë që ai e cilëson të vështirë, por të domosdoshme në funksion të integrimit europian dhe reformimit të administratës lokale.
“Ndërtimet pa leje në Theth, Rama po rregullon me ligj parregullsitë. Njerëzit zgjodhën rrugën e shkurtër duke bërë ndërtime pa leje. Njerëzit përfituan nga fushata zgjedhore, duke e ditur që gjatë fushatën nuk bëhen lëvizje, dhe marrë shkas nga kjo kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, në formën e një katrahurë.
Kemi Shqipërinë e viteve të fundit që ka pasur një bum turizmi dhe pse mos të investojmë në formën e duhur, të ligjshme. Rilindja urbane, Rama ka zgjedhur një rrugë të vështirë, nuk po them që është e padrejtë. Ai po kërkon një frymë të re.
Rruga që ka zgjedhur që Rama është i vështirë, por mendoj që pas shtatorit do të kemi zhvillime të reja dhe Shqipëria ka aspirata për të shkuar në BE. E mira është që rinovohet gjithçka, populli thotë që uji që qëndron qelbet, pra le të rrjedhe dhe le të qarkullojnë funksionarët që nga niveli qendror dhe nga niveli lokal.
Deri tani kishim qoka, nuk kishim as votime dhe as emërime nëpër bashki dhe komuna, të cila ulnin performancën në nivelin më të ulët të mundshëm. Berisha ka dashur gjithmonë përçarje të Shqiptarëve, këtë ka dashur gjithmonë. Berishës i ka ikur koha, nuk duhet marrë në konsideratë”, tha gazetari i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në Abc News.