Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, ka tronditur skenën politike amerikane me njoftimin për themelimin e një partie të re politike, “Partia e Amerikës” që ai thotë se synon të përfaqësojë “80% të votuesve të qendrës”.

Ky hap vjen menjëherë pas miratimit të ligjit të ri tatimor nga presidenti Donald Trump, të cilin Musk e ka kritikuar ashpër, pavarësisht se vetëm një vit më parë ai kishte investuar miliona për të mbështetur fushatën e tij.

Sipas një analize të Washington Post, megjithatë, plani i Musk për të ndërtuar një forcë të tretë politike përballet me një sërë sfidash serioze:

Pengesat institucionale dhe ligjore
Sistemi elektoral amerikan, i bazuar në parimin “fituesi merr gjithçka”, nuk favorizon partitë e treta. Ekspertët politikë theksojnë se për të qenë i suksesshëm, një kandidat ose parti duhet të fitojë në një shtet, ndryshe nga demokracitë parlamentare ku përqindja e votave mund të përkthehet në përfaqësim.

Për më tepër, çdo shtet në SHBA ka rregullat e veta për regjistrimin në fletën e votimit, shpesh duke kërkuar mijëra firma të qytetarëve. Edhe pse Musk ka burime financiare të mëdha, arritja e përfaqësimit në të gjitha shtetet është një sfidë e madhe.

Historia nuk favorizon partitë e reja
Në më shumë se një shekull, vetëm një kandidat jashtë dy partive kryesore republikanëve dhe demokratëve ka fituar vota elektorale presidenciale: George Ëallace në 1968. Kandidatë të tjerë të pavarur si Ross Perot (1992) apo Ralph Nader (2000) kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar, por pa arritur sukses të drejtpërdrejtë.

Strategjia e Musk: fokus i ngushtë në zgjedhjet e mesmandatit
Musk ka paralajmëruar se objektivi i tij janë zgjedhjet afatshkurtra të mesmandatit, duke synuar ndoshta disa vende kyçe në Kongres. Ai i krahasoi lëvizjet e tij me taktikat ushtarake të Epaminondës në betejën e Leuktrës në Greqinë e lashtë, një analogji që thekson një strategji të përqendruar, por ende e paqartë në praktikë.

Ekspertët thonë se edhe nëse kandidatët e tij nuk fitojnë, ata mund të ndikojnë rezultatet në shtete ku beteja politike është shumë e ngushtë, si në Karolinën e Veriut.

Audienca
Musk pretendon se përfaqëson një shumicë të heshtur prej 80% të amerikanëve që janë të zhgënjyer nga të dy partitë kryesore. Por, sipas profesorëve të politikës, ky grup nuk përbën një bllok të qëndrueshëm dhe të organizuar votuesish.

“Shumica e njerëzve kanë lidhje emocionale dhe historike me partitë ekzistuese, edhe kur janë të pakënaqur”, thotë Hans Noel nga Universiteti Georgetoën.

Vështirësi për të ndërtuar aleanca politike
Pas largimit të tij nga mbështetja për Trump dhe konfliktit me republikanët, Musk ka humbur një pjesë të ndikimit të tij politik. Ndonëse pasuria e tij mund ta ndihmojë, ndërtimi i një partie kërkon një rrjet të gjerë mbështetësish dhe donatorësh, gjë që nuk blihet vetëm me para.

“Partitë politike nuk ndërtohen vetëm mbi financa”, thekson Ëashington Post. “Duhet angazhim, durim dhe përkrahje nga baza”.

Durimi, pika e dobët e Musk?
Kritikët pyesin nëse një figurë si Elon Musk i njohur për objektivat ambiciozë dhe karakterin impulsiv ka durimin për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të kërkojë vite për të marrë formë. Deri më tani, investimet e tij në fushata politike nuk kanë rezultuar me suksese të prekshme.