Shkrimtari Liridon Mulaj ka reaguar me tone të ashpra pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një efektiv policie goditi me grusht në qafë një adoleshent kamarier për një shishe uji. Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, Mulaj ndan indinjatën dhe trishtimin për gjendjen në vendin e tij, duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me përvojën e tij personale në një plazh të Ulqinit, ku sipas tij, qetësia, natyra dhe respekti për hapësirat publike janë ende të pacënuara.
“Teksa jam shtrirë në shezlong, në një plazh krejt normal të Ulqinit dhe syri s’të zë tjetër veç pyll dhe rërë ndërtimet janë shumë larg – lexoj nga celulari se në vendin tim një burrec i keq, fatkeqësisht polic, qëllon me grusht në qafë një adoleshent kamarier, ndër të paktët që kanë vendosur të rrinë në këtë vend e të mos krisin e ikin, vetëm për një shishe ujë.”
Mulaj denoncon më tej situatën e përgjithshme në Shqipëri, përmes përshkrimeve të pyjeve që po digjen, plazheve të betonizuara dhe njerëzve që i quan “pordhacakë të luksit bajat”, duke i konsideruar si pjesë e një realiteti që i shkurajon qytetarët të qëndrojnë apo të investojnë jetën e tyre në vend.
“Të vjen vetvetiu t’i shkerdhesh nënën pasaportës dhe të kërkosh azil në Mal të Zi përjetësisht,” shkruan ai.
Ironia e tij nuk kursen as retorikën politike dhe procesin e integrimit europian, duke iu referuar me sarkazëm hapjes së kapitullit të pestë të negociatave me BE-në: “Ndërkohë, mos të harrojmë, grup-kapitulli i pestë për në Europë sapo u hap. Mjerë Europa kush po i bëgenis brenda.”