Një ditë më parë u ndje keq pasi u asfiksua nga tymi në Dukat të Vlorës, ndërsa sot ka dalë sërish në terren për të luftuar me flakët e zjarrit.

Zjarrfikësi i Vlorës, Luan Kapaj, mori mjekim në spital ditën e djeshme, ndërsa sot e takojmë sërish në terren në malësinë e Dukatit në Vlorë.

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelilaj, që ndjek nga afër së bashku me zjarrfikësit punën e tyre në terren për të fituar zjarrin në Dukat, ka mundur t’i shkëpusë një intervistë të shkurtër Luan Kapajt.

Ai thotë se shpëtuan nga zjarri një stan bagëtish në zonën e Dukatit, që rrezikohej seriozisht nga flakët e zjarrit, pasi favorizoheshin edhe nga era e fortë.

Zjarrfikësi Luan Kapaj: Situata ku ndodhemi tani ishte shumë e vështirë sepse era e fortë që filloi në këto momente rrezikoi stanin. Me zjarrfikësit, punonjësit dhe banorët bëmë të mundur që të izolojmë flakët dhe mos të marri përmasa, e të mos dëmtohet ky stan, sepse është i vetmi biznes i tyre që ushqehen gjithë punonjësit.

Si duket situata? Rrezikojnë banesat e Parkut të Llogarasë?

Zjarrfikësi Luan Kapaj: Për momentin janë pozicionuar shumë mjete zjarrfikëse, forcat zjarrfikëse, forcat e ushtrisë dhe për momentin nuk mendoj se do rrezikojnë banesat, por zjarri ka arritur në kufirin maksimal dhe ne e kemi ndërprerë për momentin këtu, por zjarri vazhdon në krahun jugor të Parkut të Llogarasë. Ditët në vazhdim të shikojmë se si do eci nëpërmjet erës, terrenit, bimësisë shumë të dendur, që ndikojnë në përhapjen e zjarrit.

Ditën e djeshme keni qenë në spital, patët debulesë dhe lodhje nga puna. Jeni sot prapë në punë. Çfarë ju jep forcë?

Zjarrfikësi Luan Kapaj: Ne këtë profesion kemi zgjedhur dhe jemi të detyruar që nuk mund t’i lëmë forcat zjarrfikëse pa i drejtuar në këtë situatë të vështirë. Kemi hasur vështirësi, sepse temperatura e lartë, terreni i vështirë, orët e zgjatura, ndikojnë në shëndetin e njeriut, kështu që jemi të detyruar, e pavarësisht se morëm ndihmën mjekësore dhe i falenderojmë për shpejtësinë që na kanë ardhur, përsëri duhet të jemi këtu në terren me forcat zjarrfikëse e forcat e ushtrisë, për të dhënë kontributin e për të punuar në drejtim të fikjes së zjarrit.

Një ditë më parë, ai dhe dy kolegë të tij morën mjekim në Spitalin e Vlorës pasi u ndjenë keq gjatë punës për të fikur zjarrin.

Vatra e zjarrit në Dukat të Vlorës u aktivizua për herë të parë para më shumë se 10 ditësh. Nga dita e djeshme, në ndihmë të forcave shqiptare edhe dy avionë zjarrfikës nga Greqi, pasi qeveria aktivizoi Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile./REPORT TV