Nga Vilma Bello/
“Action NOW” Kundrim mbi kohën paszgjedhore
Fituam..! Po përse fituam?
Lajmet se brenda nëntorit të këtij viti Shqipëria pritet të hapë të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian, duke shënuar një moment historik në procesin e integrimit europian të vendit, janë, padyshim, të mira në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik e shoqëror.
Ama, përtej optimizmit, kjo ushqen e nxit nevojën e fortë për reforma të reja që, tashmë, Kryeministri Rama i ka bërë publike.
Fillimet e mandatit të parë qeverisës janë domethënëse, ekzemplare edhe për këtë mandat.
Pse 2013-a ia vlen të ripërsëritet në rrethanat e reja?
Si fillim, sepse koha është e duhura!
Nëse hapja e kapitujve të parë të negociatave, veçanërisht atyre që prekin drejtësinë, administratën publike, të drejtat themelore dhe shtetin e së drejtës, lidhet me vendosjen e shtyllave të organizimit të shtetit e për të treguar kthesën e vendosur europiane të Shqipërisë, tashmë, nisja e reformave që prekin jetën e përditshme, tregon se integrimi është proces afatgjatë dhe jo një ngut që të të rrëmbejë momentin e të lërë pasoja;
tregon, gjithashtu, se nuk është proces teknik, as diplomatik dhe, madje, as që mund a duhet kuptuar si i tillë.
Këto reforma të mandatit të 4-t na çojnë në mendimin se tani është përditshmëria jonë si qytetarë që dikton, ndaj dhe iu besua sërish e kaq bindshëm Edi Ramës e PS🌹, forcës që ka projektuar përherë të ardhmen.
Nëse reformat për kapitujt e parë janë afatgjata dhe kërkojnë kohë për të dhënë rezultate konkrete, reformat që prekin shërbimet publike e territorin, shëndetësinë e arsimin, urbanistikën e teknologjinë apo ekonominë familjare, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në të përditshmen e qytetarëve.
Sepse integrimi na takon neve, çdo familjeje shqiptare, sepse nuk i jemi ulur Brukselit në gjunjë e ai thjesht po na mirëkupton mungesat e nevojat…
Ky është një mesazh i fortë!
Qeverisë dhe Edi Ramës i është dhënë mandati i 4-t të drejtojë Shqipërinë drejt BE dhe shqiptarët drejt pasaportës europiane.
Ky ishte vizioni me të cilin dolëm në fushatë e për këtë u mandatuam.
Ne na duhen standardet evropiane brenda vetes e për këtë votuan shqiptarët.
Ne duam shërbime më të mira, jetë më cilësore, mirëqenie e siguri, ndjeshmëri për nevoja që duken të vogla përballë nevojave që shteti ka, por Shqipëria jetohet e duhet të
jetohet më së pari nga qytetarët e saj që zgjedhin të parin vendin e tyre për të jetuar, që të kuptojnë, të ndiejnë e të besojnë se qeveria nuk është mekanizëm robot që vendos e merret me rregulla kornizuese për fashikuj që BE na kërkon të përmbushim.
Përkundrazi!
Qeveria është instrumenti bazik e kryesor për të na siguruar çfarë na duhet në përditshmërinë tonë, njëjtë siç duam e kërkojmë edhe Evropën brenda Shqipërisë.
Rama është në provë nga shqiptarët. Ka në lojë lidershipin e tij, tashmë të njohur e të votëbesuar. Nuk ka më justifikim, as ka luksin të ecë ngadalë; është tamam koha për të ecur shpejt, me vendosmëri, duke përballur rezistencën e brendshme – e natyrshme dhe e pranueshme deri diku, duke guxuar për modele të reja, por përherë me sfidën e moshumbjes së vlerave dhe dinjitetit që shoqëria jonë i ka në thelb të shenjta dhe shumë mirë që i ka, sepse më e mirë ngrihet vetëm mbi vlerat e veta.
Shumë lajme janë prodhuar këtë korrik; prej Vlorës nisën dhe jo rastësisht.
Përmes Vlorës, Rama ka iniciuar një model lidershipi të ri, të vendosur, të përgjegjshëm dhe vullnetfortë për t’iu përgjigjur një perspektive rrënjësisht të ndryshme të administrimit lokal. Dhe unë dua dhe e besoj se Vlora me Ermal Dredhën do ta udhëheqë këtë proces me kurajo e pa dyzime.
Prej Vlorës, Kryeministri Rama nisi artikulimin e reformave të këtij mandati. Por të ecësh me këto reforma, nuk do të thotë se po sfidon njerëzit e tu, përkundrazi. Po guxon, duke treguar edhe njëherë lidership, që t’i bësh administruesit lokalë, deri edhe qytetarët, AKTORË dhe jo spektatorë të zhvillimeve që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre.
Kjo do të thotë të qeverisësh jo mbi qytetarët, por të ndërtosh bashkë me ta, jo si diktat mbi vendimmarrjen vendore, por përmes një marrëdhënieje bashkëpunimi ku pushteti lokal di dhe zgjedh të bëhet partner i barabartë e jo zgjatim i vendimmarrjes qendrore.
Këtë nënvizoi kryeministri këto ditë korriku në Vlorë e kudo tjetër.
Ndryshimi nuk do të vijë lehtë dhe as si spektakël, por me lodhjen e, mbase, me nervozizmin që sjell e domosdoshmja: Edi Rama po e udhëheq këtë proces me përfshirjen, ndjeshmërinë dhe pjesëmarrjen aktive e angazhim të çdo institucioni e individi.
Sepse Europa që duam për Shqipërinë, nuk është një projekt shtetëror, por është jetik e shoqëror dhe ku çdo qytetar ka rolin dhe përgjegjësinë e tij.
Le të besojmë shumë, të ecim vendosur me reformat që na shërbejnë, të bëhemi pjesë vërtet e këtij rrugëtimi europian që forcon besueshmërinë e Shqipërisë, por, mbi të gjitha, shërben për të ndërtuar Europën në Shqipëri.
Unë e dua ta jetoj këtë ndryshim, të gjithë e mendojmë, e duam, e kërkojmë. Le ta bëjmë!
Jo si spektatorë. Por si AKTORË!
E kemi ne në dorë të zgjedhim në cilin krah do mbajmë dhe, sa më shumë ta kuptojmë që jemi ne ata që e realizojmë, aq më shumë rol do i ndiejmë vetes.
Ky është proces që del përtej emrave, madje, në thelb, ngrihet jo mbi atë që je, por mbi atë që mund të bësh!
Këtu nuk janë sfida personale, këto janë diktat i kohës.
Koha kërkon guxim, siç për të besuar në vizionin për Shqipërinë europiane, edhe për të pranuar ndryshimet. Por, ama, njëjtë me këdo e për këdo, qoftë të administratës e sektorit publik apo të atij privat, pa dallim e pa preferenca dhe me barazi e transparencë, sepse mungesa e tyre cënon besimin e të gjithëve në reformat integruese, cënon besimin e qytetarëve, të biznesit e të kujtdo.
Kjo nuk është më çështje ngjyrash. Ky lloj ndryshimi është si toka ku mbështetemi të gjithë, pa dallim.
Unë e dua ta jetoj këtë ndryshim, të gjithë e mendojmë, e duam, e kërkojmë.
Le ta bëjmë!
Jo si spektatorë.
Si AKTORË të ndryshimit, medoemos!