Nga dita e sotme 1 korrik 2025 nis zbatimin marreveshja për njohjen e ndërsjellë të pensioneve mes dy vendeve për shtetasit shqiptarë dhe italianë, një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar prej vitesh në Itali, por edhe italianët që punojnë në vendin tonë.
Ky vendim i përbashkët siguron një proces të qartë, transparent dhe të koordinuar në përfitimin e të drejtave të ligjshme të çdo individi dhe ofron për shumë persona një siguri për të ardhmen.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë do të përfitojnë mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj. Dy vendet kanë punuar për një kohë të gjatë për njohjen e pensioneve reciproke, ndërsa dakordësia për marrëveshjen teknike është arritur në korrik të 2022.

Marrëveshja do i shërbejë të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe italianëve që punojnë në Shqipëri pasi përmes saj do të mundësohet njohja e kontributeve të tyre për efekt të pensioneve të pleqërisë, përfitimet për sëmundjet dhe barrë-lindjet, si dhe sigurimet për papunësinë.

Për të përfituar një pension të plotë në Itali, një individ duhet të ketë të paktën 20 vite sigurim të plotë, ndërsa në Shqipëri kërkohen minimalisht 15 vite pune të siguruara. Falë marrëveshjes, të gjithë ata që nuk arrijnë të përmbushin këtë kusht minimal vetëm në një prej vendeve, mund t’i bashkojnë vitet e punës nga të dy shtetet dhe të përfitojnë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Institucionet kanë gati të gjithë infrastrukturën për aplikimin për pension, përditësim të kerkesave në e-albania dhe realizimin me efiçencë të komunikimit elektronik me palën italiane.
Në Shqipëri, aplikimi për përfitimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje mund të kryhet përmes platformës digjitale e-Albania, ku janë integruar shërbimet përkatëse për aplikimin për pension ndërkombëtar. Gjithashtu, qytetarët mund të drejtohen pranë sporteleve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për asistencë të drejtpërdrejtë.
Marrëveshja u firmos më 6 shkurt 2024 nga autoritetet shqiptare dhe italiane dhe në muajin mars të këtij viti u botua edhe në Fletoren Zyrtare të Italisë, duke hyrë zyrtarisht në fuqi.