Gjatë 4 viteve në sallën e Kuvendit, deputetët folën e propozuan shumë ide, por pak prej tyre e panë kartonin jeshil.
Gjatë legjislaturës që lamë pas, u propozuan 61 nisma, 38 nga opozita dhe 23 nga socialistët. Demokratët kërkuan me ngulm ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ligjin për dekriminalizimin apo minimumin jetik.
Socialistët kërkuan të largonin nga funksionet publike bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
Të gjitha këto, ligjvënësit i harruan, duke u kthyer në spektatorë dhe votues të nismave nga Këshilli i Ministrave.
Këtë fenomen, drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, e lidh me mungesën e pavarësisë që deputetët kanë në aktivitetin parlamentar.
“Duke pasur një parlament i cili më shumë reflektoi problematikat partiake, siç thuhet në raportet e BE-së dhe çdo raport tjetër, parlamenti humbi funksionet bazë. Një nga funksionet bazë është edhe nisma e ligjvënësve.”
Demokratizimi i grupeve parlamentare, sipas Krasniqit, është një mekanizëm që mund të ndryshojë rolin e deputetëve.
“Reformimi i grupeve parlamentare do të na ndihmonte të bënim dy gjëra: të lejonim që partitë të miratonin rregulla meritokracie nga brenda; të harmonizonim brezin politik të vjetër me brezin e ri; dhe së treti, të evitonim konfliktin e interesit, duke verifikuar pas çdo nisme kush fshihet pas saj dhe kush janë deputetët.
Megjithatë, ligjvënësit e rinj në legjislaturën e ardhshme, Krasniqi nuk i sheh shumë premtues.
“Mendoj që të gjithë ata që kanë pritshmëri të larta për Parlamentin do të zhgënjehen. Deputetë të rinj, të cilët nuk i shoh negativisht në ardhjen e tyre, sepse Shqipëria ka nevojë për një gjeneratë të re politikanësh, por nëse ata kanë zgjedhur të vijnë për të imituar liderët politikë apo për të bërë autoparlamentin e porosive që marrin nga liderët, kjo do të jetë një dështim i madh, jo i tyre, por i gjeneratës së tretë politike në Shqipëri.”
Sipas rregullores së Kuvendit, në shtator, kur të nisë legjislatura e re, nismat e deputetëve aktualë nuk do të kenë më vend në kalendar./TV KLAN