Vijon operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë”, i fokusuar në lirimin e hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private.

Në Seman janë liruar tre sipërfaqe publike të zëna në mënyrë të paligjshme, ndërsa janë proceduar penalisht tre pronarë biznesesh që kishin vendosur çadra dhe shezlongë pa leje.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia e Fierit, Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Policia Bashkiake, në tre stacione plazhi u konstatua se tre persona kishin zënë hapësira publike duke vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, pa qenë të pajisur me leje nga institucionet përkatëse. Për këtë rast, materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit dhe ndaj tyre nisi procedimi penal për veprat: “Pushtimi i tokës” “Fshehja e të ardhurave”“Ushtrimi i aktivitetit tregtar pa kasë fiskale.”

Policia e Shtetit thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave për pushuesit dhe verifikimin e ligjshmërisë së subjekteve private gjatë sezonit veror.