Nga Gentian Gaba/
Po t’u besosh këtyre, është hera e tretë brenda pak muajsh që “pushojnë nga puna” ambasadoren Yuri Kim. Hera e parë, sipas tyre, ishte në shkurt (ka madje edhe artikuj online për këtë), hera e dytë në mars, ku pretendohej se ishte nën hetim intensiv, sipas “ekspertëve” të Tiranës, dhe hera e tretë sot.
Mesa duket, kanë menduar se “e treta e vërteta”, pas lajmit se Departamenti i Shtetit ka nisur të largojë nga puna mbi 1.300 punonjës, si pjesë e një riorganizimi të thellë të agjencisë, sipas burimeve zyrtare të vetë Departamentit.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për 1.107 zyrtarë të shërbimit civil dhe 246 të shërbimit të jashtëm, që preken në këtë fazë të ristrukturimit, në kuadër të përpjekjeve më të gjera të administratës Trump për të reduktuar madhësinë e qeverisë federale.
Tani, nuk e di nëse lajmet në Shqipëri vijnë më shpejt se në Uashington D.C., por nga sa kuptoj, deri më tani asnjë profil i lartë nuk është prekur. Aq më tepër kur kujtojmë se zonja Kim u emërua ambasadore pikërisht gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.
Nga ajo që shoh, këtu lajmi është frymëzuar nga pamjet e protestës përballë godinës së Departamentit të Shtetit. Por pikërisht këtu qëndron edhe keqkuptimi, sepse ndërsa jashtë protestohet, brenda godinës zyrtarët në detyrë, të ndarë nga protesta, duartrokasin në mënyrë simbolike në nder të punonjësve civilë që po largohen, si shenjë respekti për kontributin e tyre.
Se çfarë do të ndodhë me Yuri Kim, është punë e saj. Por ajo që më ka argëtuar këto ditë është mënyra se si ndërtohen realitete paralele, pa asnjë lidhje me të vërtetën (në Tiranë e kishin “shkarkuar” disa herë më parë), për të justifikuar gabimet strategjike në raport me SHBA-në. Rrëfime që ngjajnë më shumë me një lojë pasqyrash, e ndërtuar për të çorientuar publikun.
Dhe mbi të gjitha, kjo është pjesa më problematike, kjo qasje tregon mungesë të thellë reflektimi. Asnjë përpjekje për të kuptuar ku është gabuar, vetëm këmbëngulje për të shpikur armiq të jashtëm, për të fshehur dështimin dhe për të shmangur reformimin dhe ndryshimin e nevojshëm. Ndryshim që është kusht i domosdoshëm për të ndërtuar partneritete serioze përtej Adriatikut, nëse vërtet duan të përballen me një kundërshtar si Edi Rama. Marrë nga Hashtag.al