Në vijim të fushatës së ashpër të sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka vijuar të hedhë akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka.
Malltezi, i cili po përballet me drejtësinë në çështjen e shumëpërfolur të kompleksit “Partizani”, ka përdorur të njëjtën gjuhë të ashpër si vjehrri i tij, duke e cilësuar Dumanin “ose peng, ose të pafytyrë ekstrem”. Ai i është referuar një vendimi të fundit ku, sipas tij, “kërkohet konfirmimi i faktit penal”, duke e cilësuar këtë një akt të papranueshëm për një organ hetimor serioz.
“Sa palaço duhet të jesh që të thuash se “duhet konfirmuar fakti penal”? Ose je peng ose i pafytyrë ekstrem:
1. Irena me 3 mbiemra ka 2 dëbime nga Greqia për të cilat ka firmos prokurë për ti kundërshtuar
2. Ka 1 dënim penal të formës së prerë e cila ka ardhur me vulë apostile (forma më e lartë e çertifikimit)
3. Ka mashtrim me paratë e pista të paktë për 60 miljon lekë që ka paraqit në veting kobtratë gjoja të 1996 me nene të kodit civil të 2015!
4. Ka falsifikim formular dekriminalizimi se nuk ka paraqit as dëbimet e as dënimin në Greqi.” – shkruan Malltezi.
Megjithëse sulme të tilla përbëjnë një presion të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, asnjë reagim zyrtar nuk ka ardhur deri më tani nga institucionet përkatëse, ndërsa retorika e linçimit publik duket se po kthehet në mënyrë efikase për Berishën dhe familjarët e tij, të cilët po e shantazhojnë drejtësinë me të gjithë format dhe mënyrat.