Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.
Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të mbajtur me gazetarë, pas kthimit nga vizitat në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni, dhe në ditën kur është shënuar përpjekja e 48-të për konstituim të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pa ndonjë sukses.
“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.
Mes tjerash, Osmani e ka theksuar se asaj nuk i takon të negociojë koalicione qeveritare dhe se diçka të tillë e ka të ndaluar me Kushtetutë.
Gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
“Unë jam e bindur që sikur për çdo afat tjetër, afat detyrues, edhe për këtë afat të cilin Gjykata e ka shpallur të detyrueshëm dhe kushtetues, nëse nuk respektohet, duhet të ketë pasoja juridike. Nuk po flas për pasoja penale. Pasoja juridike nënkupton se çfarë ndodh me institucionet nëse ato nuk konstituohen deri më 26 korrik?”, ka pyetur Osmani.