Igli Tare as që ka ndërmend të ndalet, me Drejtorin Sportiv të Milan që vijon punën për të riformatuar “djallin”. Milan mbylli një sezon të dështuar, jashtë Evropë, për këtë arsye drejtuesit e klubit janë të detyruar të nisin edhe një herë gjithçka nga e para duke i dhënë fuqi absolute dyshes Tare-Allegri. Nga Milano u larguan dy titullarë si Reijnders dhe Theo Hernandez. Për të zëvendësuar holandezin deri më tani kanë ardhur dy lojtarë si Luka Modric dhe Samuele Ricci, ndërsa mbeten në pritje edhe të Jasharit.
Ndërkohë, për të plotësuar vendin e lënë bosh nga anësori francez, Tare ka përzgjedhur futbollistin e Brighton, Pervis Estupian. Mbrojtësi nga Ekuadori është kthyer në një prioritet dhe Tare pritet ta mbyll shumë shpejt këtë negociatë. Mbetet e hapur dhe e ndezur gjetja e një qendërsulmuesi të ri.
La Gazzetta dello Sport, shkruan se Tare ka një akord verbal me Dusan Vlahovic. Është e qartë që serbi nuk bën pjesë në planet e Juves, me drejtuesit e klubit torinez që e kanë nxjerr në shitje, në pritje të ofertës më të mirë, pasi Vlahovic, nëse nuk largohet, do të përfitojë 12 milionë euro këtë sezon. Pikërisht paga është pengesa kryesore edhe për klubet e interesuara si Milan.
Igli Tare i ka vendosur në “pjatë” Vlahovic 6 milionë euro kesh, plus bonuse, por një kontrate progresive me kalimin e viteve. Sulmuesi serb po joshet gjithnjë e më shumë nga ideja për t’u bashkuar edhe një herë me Allegrin. Në lidhje me kartonin e tij, “Zonja e Vjetër” është gati të lë të lirë Vlahovic për 20 milionë euro pasi nuk dëshirojnë ta humbasin fals pas një viti, në një kohë kur kontrata e tij aktuale i përfundon në 2026.