Paraja nuk mbart asnjë herë vetëm një vlerë monetare. Përgjatë periudhave të ndryshme, njerëzit i kanë dhënë asaj edhe vlera morale të caktuara, në kontekste të caktuara. Ka momente kur dhënia e parave është shenjë kujdesi, ashtu si në momento të tjera mund të kthehet në ofendim. Në disa kultura, mund të jetë shenjë solidariteti, ndërsa në të tjera shenjon një lloj distancimi.

Gjatë bisedës në Apostrof Podcast, antropologia Smoki Musaraj sjell si shembull funeralet në kontekstin shqiptar të para dhe pas viteve ’90-të. Më parë, thotë ajo, dhënia e parave kur ngushëlloje dikë për humbjen e një të afërmi shihej si e papërshtatshme dhe madje edhe ofenduese. Zakonisht jepej vetëm kafe dhe cigare. Por, sot dhënia e parave jo vetëm nuk përbën më një tabu, por në njëfarë mënyre pritet si diçka që duhet bërë. Pra, është kthyer në një lloj rituali.

Çfarë ndryshoi?

Sipas Musarajt, këto ndryshime nuk janë të rastësishme, por lidhen me transformimet më të gjera të jetës ekonomike, tranzicionit politik dhe përshtatjes kulturore. Rënia e socializmit si sistemi dominues ekonomik dhe politik, lindja e një kapitalizmi pa rregulla dhe standarde, si edhe monetizimi gjithnjë në rritje i jetës së përditshme, çuan edhe në një riformësim të normave sociale kulturore.

Kështu, paraja hyri edhe në ato hapësira që dikur i përkisnin heshtjes dhe ritualeve, duke marrë një kuptim të ri dhe duke bërë që të lindin edhe dilema më të thella:

Çfarë do të thotë të vajtosh duke dhënë para?

A janë paratë që japim në këto raste një shprehje solidariteti, apo shmangie nga mosqenia realisht i pranishëm për tjetrin në momente të vështira?

A po përshtatemi me modernitetin, apo po humbasim gjuhën e ngadaltë dhe simbolike të kujdesit?

Shpesh flasim për inflacionin me terma ekonomikë, por duket se ekziston po ashtu një lloj inflacioni moral, ku gjeste dikur simbolike dhe të kuptueshme nga të gjithë, kanë nevojë të bëhen më të zhurmshme ose të përfshijnë më shumë para. Ajo që dikur komunikohej përmes pranisë fizike dhe shpirtërore, sot nevojitet të mbështillet me para. Cigarja e ndarë dikur mes dy burrave në heshtje, është zëvendësuar nga zarfi me para brenda.

Pyetja që lind këtu nuk është nëse ky transformim është i drejtë apo i gabuar, por çfarë na tregon në lidhje me mënyrën se si dashurojmë, vajtojmë dhe tregojmë kujdes ndaj njëri tjetrit në sisteme, të cilat gjithnjë e më shpesh na kërkojnë të matim çdo gjë me vlerë monetare, madje edhe dhimbjen?