Parlamenti Evropian ka miratuar sot në seancën plenare të mbajtur në Strasburg raportin për progresin e Shqipërisë për vitet 2023-2024, të përgatitur nga raportuesi për Shqipërinë, eurodeputeti Andreas Schieder.

Ky raport i rëndësishëm, i cili vjen pas miratimit nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET) më 4 qershor 2025, përfaqëson një vlerësim politik dhe institucional të ecurisë së Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Në raport, Parlamenti Evropian e cilëson Shqipërinë si një “partner të fortë dhe të besueshëm”, duke përshëndetur progresin e shënuar në reforma gjatë dy viteve të fundit.

Reagimi zyrtar i Qeverisë shqiptare

Qeveria shqiptare ka reaguar menjëherë pas votimit në Strasburg, duke mirëpritur raportin dhe duke e cilësuar atë si dëshmi të mbështetjes së gjerë që procesi i zgjerimit të BE-së gëzon në Parlamentin Evropian. Në deklaratën e saj, Kryeministria shpreh vlerësim të posaçëm për qasjen konstruktive dhe objektive të raportuesit Andreas Schieder, si dhe për angazhimin e eurodeputetëve ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.

“Raporti pasqyron qartë progresin e bërë nga Shqipëria në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në drejtësi, si dhe në rritjen ekonomike dhe modernizimin e administratës publike”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Një moment historik në rrugën drejt BE-së

Ky raport vjen vetëm një ditë pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian mbi Shtetin e së Drejtës, i cili gjithashtu vlerësoi përparimin e Shqipërisë në konsolidimin e institucioneve kyçe dhe zbatimin e reformave thelbësore.

Në dokumentin e miratuar sot, Parlamenti Evropian njeh përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe inkurajon institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare që të ndjekin një qasje të drejtë, të bazuar në merita dhe të parashikueshme ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përkushtimi i Shqipërisë ndaj integrimit evropian

Qeveria shqiptare rithekson përkushtimin e saj të palëkundur për të vijuar me ritme të përshpejtuara rrugën e reformave dhe bashkëpunimit me institucionet evropiane. Shqipëria, thuhet në deklaratë, mbetet e vendosur të përmbushë kriteret dhe të kontribuojë në forcimin dhe unitetin e Bashkimit Evropian.