Prokuroria e Fierit ka njoftuar këtë të hënë se ka sekuestruar një automjeti tip ‘Lamborghini Urus Mansory’, të shtetasit A.M.

Sipas prokurorisë, dyshohet se të ardhurat për blerjen e këtij mjeti kanë prejardhje nga veprimtaria kriminale.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në vijim të hetimeve në procedimin penal nr.1162, datë 15.10.2020 për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i K.Penal, sekuestroi automjetin tip ‘Lamborghini Urus Mansory’, të shtetasit A.M.”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Prokurorisë së Fierit thuhet se automjeti luksoz u sekuestrua me vendimin e datës 10.07.2025 dhe rezulton të jetë modifikuar nga fabrika Mansory dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë.

Sekuestrimi i këtij mjeti vjen pasi më parë prokuroria i kishte bllokuar këtij shtetasi pasuri të luajtëshme dhe të paluajtëshme me vlerë monetare rreth 2 milion euro.

“Kjo prokurori ka regjistruar kryesisht procedimin pasuror nr.3 të vitit 2024, mbështetur në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’, dhe sekuestrimi i makinës luksoze erdhi një vit pas sekuestrimeve të mëparshme ndaj pasurive të luajtshme (automjete, bizhuteri dhe vlera monetare) dhe të paluajtshme me vlerë rreth 2 milion euro të shtetasit A.M.”, thuhet në njoftim.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.