Përplasje paszgjedhore janë regjistruar prej ditësh në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” lidhur me mandatin e fituar të deputetit. Zeqir Kordhoni, i cili ka garuar në listën e mbyllur të koalicionit, ka kërkuar nga KQZ që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues.

Kordhoni ka folur për herë të parë lidhur me këtë situatë, ku ka thënë se Lapaj i ka gënjyer, pasi pati premtuar se nëse koalicioni do të merrte vetëm një mandat, do të jepte dorëheqjen.

“Adriatiku na gënjeu! Unë jam njeri i thjeshtë me 1000 halle, por u angazhova në këtë fushatë se besova që po ndryshojmë Shqipërinë. Kur Adriatiku na dha llafin që po morëm vetëm një mandat, do jap dorëheqjen, e besova. Kam dal në diell e shi, mblodha firma, shpërndava fletëpalosje, organizova takime, kam ndejt pa gjumë në numërim për të ruajtur votat, vetëm që të fitonim. Siç kisha dhënë llafin, në 11 Maj firmosa dorëheqjen. Por, kur pashë që Adriatiku u fsheh dhe nuk po e mbante fjalën, u ndjeva i përdorur. Unë s’jam kalama që të tallet njeri me mua. Unë nuk ha bar”, është shprehur Kordhoni në A2 CNN.

Ai është shprehur më tej se Lapaj në vend që të reflektonte, u soll si gangster, ndërsa shtoi se ai se nuk do që të bëhet deputet por nuk do të lejojë që të tallet njeri me të.

“Kur shkova në KQZ, Adriatiku në vend që të reflektonte, u soll si gangster. Unë nuk dua të bëhem deputet, por nuk mund të më shkelë njeri me këmbë. Adriatiku dhe të gjithë ta kuptojnë se nuk mund të tallen me njerëzit kështu. O thuaje fjalën dhe mbaje… ose (e dini vetë)”, ka thënë ai.

Fituese e mandatit të Nismës Shqipëria Bëhet në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Që ai të hyjë në parlament, duhet që Ana Dajko dhe 11 të tjerët e listës së mbyllur të refuzojnë mandatin.

Dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” kishin rënë dakord që deputet do të bëhej kandidat ai që merrte më shumë vota nga lista e hapur. Ndërsa ata që ishin në listën e mbyllur do të jepnin dorëheqjen. Por tani duke se kjo marrëveshje mund të mos zbatohet, pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni vijon këmbënguljen.